Edhe 13 persona kanë vdekur nga koronavirusi duke e çuar totalin 768 raste, ndërsa janë regjistruar 637 raste të reja.
Instituti i Shëndetësisë Publike njofton se brenda 24 orëve të fundit janë shëruar 104 pacientë derisa raste aktive janë rreth 8 mijë, raporton KOHA.
Kryeshefi i repartit të anesteziologjisë në QKUK ka thënë se masat e fundit të marra nga ekzekutivi nuk kanë pasur efekt.
“Duhet të caktohet sa njerëz të ulen në tavolinë, të kontrollohen a po zbatohen masat dhe nëse ka dënim për një person që është vetë në makinë si të mos ketë dënime për ata që grumbullohen. Numri i rasteve është në rritje dhe mund të vijë deri te një numër edhe më i madh dhe prapë do të bien rastet”, ka thënë Rexhep Gjyliqi, shef i Repartit të Kujdesit Intensiv.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se masat më të rrepta do të vazhdojnë të mbesin në fuqi për disa qytete.
Pas një bisede që ka pasur me kryetarët e komunave për shtimin e numrit të të infektuarve me COVID-19 në Kosovë, Zemaj përmes një statusi në Facebook, ka thënë se do të vazhdojnë çdo ditë me vendime operacionale.
Kjo, sipas tij, do të bëhet për komuna të caktuara në bazë të kategorizimit si pasojë e numrit të të infektuarve.
Ndërsa kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se niveli qendror ka rekomanduar mbylljen njëjavore të kryeqytetit.
“Duke marrë parasysh që Prishtina pakrahasimisht ka numrin më të madh të testeve dhe po ashtu numrin më të madh të banorëve, ne kemi kërkuar që kjo matje të bëhet me numrin e rasteve pozitive si përqindje e testeve. Por, kjo nuk është marrë parasysh”, ka pohuar Ahmeti.
Ahmeti thotë të ketë kërkuar që të jenë më fleksibilë edhe me biznese, për shkak se sipas tij, në kohën kur nuk ka ndihma apo infuzion të parave në ekonomi nga qeveria, një goditje tjetër do të jetë fatale për to.
Për një mbyllje të mundshme ka reaguar edhe shoqata e gastronomëve të Kosovës.
“Gastronomia është një hallkë që fut në funksion edhe shumë biznese të tjera. Ka për të pësuar shumë jo vetëm Gastronomia, por edhe furnizuesit. Ne kemi dërguar kërkesat edhe në Ministri të Financave dhe janë të vetëdijshëm për të gjitha kërkesat tona. Po presim derisa të ndërmarrin diçka, ose atëherë na mbetet vetëm protesta”, ka deklaruar Veton Zuka nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.
Masat e fundit të marra nga Qeveria i ka kundërshtuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
“KMDLNj e kundërshton çfarëdo kufizimi të bizneseve, pa asnjë dallim, nëse Qeveria e Kosovës nuk ofron kompensim të arsyeshëm për humbjet që i pëson biznesi gjatë mbylljes apo kufizimit”, thuhet tutje në komunikatën e KMDLNJ-së.
Masat e fundit të ekzekutivit i ka kundërshtuar edhe Komuna e Gjilanit, që sipas nënkryetarit, janë bërë pa analizë të duhur.