Në Komisionin për Ekonomi është miratuar në parim Projektligji për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë.
Këtë projektligj e ka prezantuar para deputetëve ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, i cili theksoi se ky projektligj është pjesë e programit legjislativ dhe në përputhje të plotë me direktivat e BE-së.
“Shtrirja e infrastrukturës në breza të gjerë është e shtrenjtë dhe e vështirë, prandaj projektligji synon krijimin e kushteve për shfrytëzimin e përbashkët të infrastrukturës pasive që mundëson kursimet më të mëdha të kostos pasi siç dihet punimet ndërtimore shkaktojnë deri në 80 për qind të kostos totale të shtrirjes së infrastrukturës. Zvogëlimi të kostos deri në 30 për qind duke i përdorë kanalet ekzistuese”, theksoi Kuçi.
Ndërsa, anëtari i Komisionit Hekuran Murati tha se ky projektligj nuk zgjidh problemin e keqpërdorimit të hapësirave publike, sidomos për antenat në ndërtesat e përbashkëta.
“Nuk di a po e zgjidhim problemin e kostos, në anën tjetër thuhet që projektligji është në përputhje me direktivat e BE-së, por konsideroj që edhe ky projektligj është njësoj sikur disa ligje të tjera që po miratohen në Kuvend e që pastaj përfundojnë në sirtar dhe të pa zbatueshëm. Problemin kryesor që e kemi me shtrirjen e infrastrukturës e sidomos në zonën urbane ka të bëjë me keqpërdorimin e hapësirave publike nga operatorët, sidomos në kulmet e ndërtesave të përbashkëta. Unë me sa pash nuk është që është ofruar ndonjë zgjidhje për këtë problem”, theksoi Murati.
Ministri Kuçi duke iu përgjigjur anëtares së Komisionit, Mimoza Kusari-Lila, bëri të ditur se janë hapur procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) dhe për ta bërë funksional këtë bord.
“Po, kemi filluar procedurën për emërimet dhe procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të ARKEP-it”, tha Kuçi.
Anëtarët e Bordit të ARKEP-it mbesin pa mandat prej 15 dhjetor 2020.