Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka njoftuar se sot nga Aeroporti i Stuttgartit në Gjermani, janë riatdhesuar edhe 143 shtetas të Kosovës.
“Nga fillimi i Pandemisë dhe deri me këtë fluturim, Misioni Diplomatik i Republikës së Kosovës në Gjermani, përkundër të të gjitha vështirësive, ka arritur të kthejë më shumë se 520 shtetas në Kosovë”, ka njoftuar Cufaj përmes faqes zyrtare të Ambasadës së Kosovës në Gjermani.
Secili person që hyn në Kosovë duhet t’i nënshtrohet karantinës shtatëditore në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.
Ai ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe ka njoftuar se ditëve në vijim do të kthejnë edhe të tjerë.
“Janë edhe qindra tjerë që po presin dhe i lus për mirëkuptim e durim. Dua me këtë rast të shprehi falënderime të veçanta për krejt personelin e Konsullatave të Kosovës në Munih, Stuttgart, Frankfurt, Duesseldorf, Hamburg dhe stafin në Berlin për punën e palodhshme për t’u shërbyer shtetasve tanë në këtë kohë me sfida të pashembullta. Ju faleminderit krejt shtetasve tanë për durimin, sugjerimet dhe kritikat!”, përfundon Cufaj.
Ditë më parë ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, në Interaktiv të KTV-së tha se Kosova nuk ka pasur kapacitetet e mjaftueshme të kthejë të gjithë qytetarët përnjëherë që kanë mbetur jashtë vendit.
Gjithashtu, ka treguar se deri tash janë kthyer 1482 persona nga 2841 sa kishin kërkuar kthim.