Ka arritur në 14 numri i viktimave në Tetovë nga zjarri që ka përfshirë spitalin modular për trajtimin e personave të sëmurë me sëmundjen Covid-19.
Kështu ka bërë të ditur kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Në një lidhje direkte në emisionin Frontal në T7, ajo ka dhënë informacione për zjarrin që ka përfshirë spitalin modular.
Arifi ka thënë 12 pacientë që kanë mbijetuar nga tragjedia e djeshme janë duke marrë trajtimin në spitalin e Tetovës dhe janë në gjendje stabile. Derisa, ajo ka treguar se ende nuk janë identifikuar të gjitha viktimat.
“Në orët e paradites isha në spitalin e Tetovës për t’u informuar edhe sa i përket viktimave edhe për gjendjen e të mbijetuarve. Është zyrtare që tani ka 14 viktima, për një numër të vogël të tyre është duke u kryer procesi i identifikimit në institucionin për Mjekësi Ligjore në Shkup, ndërkohë që 12 persona tjerë që kanë mbijetuar janë vendosur në reparte tjera në spitalin e Tetovës dhe gjendja e tyre paraqitet stabile dhe e mirë”, ka treguar ajo.
Tutje ajo është shprehur se mbrëmë bashkë me krerët e shtetit kanë mbajtur një takim në lidhje me këtë tragjedi dhe se prokuroria po heton rastin, por që ende nuk dihen arsyet që kanë quar deri te zjarri.
“Fjala është për një tragjedi të madhe me pasoja të jashtëzakonshme në njerëz fatkeqësisht. Në takimin që kishim mbrëmë meqenëse i tërë kreu i shtetit ishte në Tetovë, si dhe prokuroi republikan i cili ka për obligim zyrtar që të filloj procedurën e hetimeve, u informuam që ai proces ka filluar që mbrëmë dhe sot gjatë gjithë ditës, mbledhja e fakteve dhe të dhënave. Deri tani akoma nuk kemi informacione zyrtare për shkaqet që kanë sjellë deri tek kjo situatë, mirëpo kërkesa dhe insistimi ynë është që sa më shpejt të kryejmë të gjitha hetimet me qëllim që të dihet saktësisht cilat janë arsyet e kësaj tragjedie”, ka thënë ajo.
Arifi ka theksuar se deri tani nuk është e informuar se dikush është arrestuar apo ndalur nga policia.
“Deri më tani institucionet nuk kanë informuar për raste arrestimi apo ndalimi, jemi të informuar që ata vazhdojnë proceset e tyre me forenzikën dhe të gjitha aktivitetet që duhet të ndërmerren. Në ndërkohë gjatë ditës së sotme është mbajtur edhe mbledhja e jashtëzakonshme e Qeverisë dhe disa shtete mike kanë ofruar po ashtu ekspertizën e tyre që ky proces të jetë sa më i saktë dhe në të njëjtën kohë sa më i besueshëm. Ajo që unë mund të them se nga shfaqja e COVID-it në Maqedoninë e Veriut janë ndërtuar disa spitale modulare të cilat janë bërë në bazë të një ligji special i cili është votuar në parlament dhe besoj që procesi i hetimit do t’i hetoj të gjitha aspektet dhe pistat e mundshme që kanë sjellë deri te kjo tragjedi”, ka shtuar ajo.