Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikatës të Bujqve, thotë se arat e Kosovës këtë vit pritet që të japin bukën për vetëm 30 për qind të nevojave të vendit, krahasuar me nevojën totale për konsum.
“Sipas informacioneve tona nuk ka më shumë 40 mijë hektarë të mbjellë, aty diku. Bazuar në rendimente shumë të ulëta, nuk do të kemi më shumë se për 30 për qind të nevojave të popullatës. Me këto sipërfaqe dhe rendiment nuk do të arrijmë më shumë 3 mijë kilogramë për hektarë, mesatarja”, është shprehur Tahiri, për Klan Kosova.
Ai është ankuar në Ministrinë Bujqësisë sa i përket mos mbikëqyrjes së fushatës së korrje-shirjeve, duke shtuar se kanë ndodhur keqpërdorime.
“Fushata e korrje-shirjeve në përgjithësi po shkon mirë sepse kombajnerët që janë të angazhuar në terren po punojnë pa ndonjë problem. Mund të ketë aty-këtu disa kombajnerë që po korrin me çmim më të shtrenjtë. 130 euro është caktuar çmimi për hektar nga Ministria e Bujqësisë, por ka kombajnerë që po korrin me 150 euro hektarin”.
“Ministria e Bujqësisë e ka neglizhuar fushatën, nuk e ka formuar shtabin për korrje-shirje. Me lamën e një viti sigurohet buka për popullatën dhe duhet t’i kushtojmë shumë më shumë rëndësi”.
Tahiri ka thënë gjithashtu se bujqit ende nuk i kanë marrë subvencionet për grurë të ndara nga Ministria e Bujqësisë.