Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka thënë se prej kur kjo qytezë është futur në karantinë pas paraqitjes së rastit të parë me koronavirus, situata është e qetë.
“Qytetarët janë të vetëdijshëm dhe po i kufizojnë lëvizjet e tyre duke respektuar vendimin e Qeverisë. Masat që janë ndërmarrë – është shërbimi efecient i QKMF-së, FSK ka sjell një tendë që e kemi vendos para hyrjes dhe po bëjmë seleksionimin e vizitorëve për të marrë anamnezën se cili prej tyre mund të jetë me simptoma të koronavirusit dhe cilët janë me nevoja të përditshmërisë. Ndihma ka qenë para dy ditëve kemi marrë maska dhe dorëza dhe ndihmë tjetër nuk ka pas nga Qeveria”, ka thënë Elezaj, njofton Klan Kosova.
Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që ta ndihmojë përsëri stafin mjekësor të kësaj komune.
“Më së shumti kemi nevojë për mjete mbrojtëse për stafin shëndetësor. Sasitë e tyre janë në minimum. Edhe stafi shëndetësor është në panik. Ka nevojë të fillojë organizimi prej Kryqit të Kuq për shpërndarje të ushqimeve elementare. Tani për tani ka staf. Është bërë riorganizim. Nuk kemi shqetësim lidhur me stafin”.
Elezaj ka thënë se i përket ushqimeve deri tash nuk është vërejtur mungesë e tyre nëpër dyqane.
“Sfidat janë në kuptim të lëvizjes, nuk ka mungesa në markete por ka kufizime në lëvizje. Kategoritë sociale e kanë më vështirë, n ka aktivitete nuk punojnë restorante bare ka vetëm takime individuale, janë të kujdesshëm dhe besoj se situata po menaxhohet mirë”.
“Për familjet që janë të prekura, kampi i Caritas për ta po përkujdesemi për furnizim me ujë dhe gjëra të tjera. Ka interes të madh të qytetarëve që na drejtohen me kërkesa të caktuara. Shtabi emergjent po kryen punën e vet. Qytetarët janë të kuptueshëm. Niveli qendror duhet të mendojë për rezerva shtetërore. Tani për tani nuk ka panik po menaxhojmë situatën dhe qytetarët janë më meritorët, ata e kanë kuptuar drejt atë që duhet të bëhet”.