Kryetarët e Suharekës e Shtimes, e njoftojnë Kurtin me menaxhimin e situatës me koronavirus

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar vizitat nëpër komuna.

Sot, ai bashkë me ministren në detyrë të Administratës dhe Pushtetit Lokal, Emilija Regjepi, kanë takuar Kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremajn dhe kryetarin e Komunës së Shtimes, Naim Ismajlin në komunat e tyre respektive.

Sipas njoftimit për media, në Suharekë, Muharremaj njoftoi se gjendja është duke u menaxhuar suksesshëm dhe se të prekurit me koronavirus janë duke u monitoruar në vazhdimësi.

“Sa i përket masave të reja të lëvizjes, ato po respektohen dhe po tregohen shumë efektive”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Shtimes, Ismajli tregoi se në komunën e tij deri tani ka qenë vetëm një rast i prekur me COVID-19, i cili është shëruar.

“Masat e qeverisë dhe rekomandimet e profesionistëve të shëndetësisë për mbajtjen e distancës, pastërtisë dhe më të rëndësishmen qëndrimit në shtëpi janë arsyet e menaxhimit të mirë të kësaj situate në këtë komunë”, ka thënë ai.

“Sukseset nuk duhet të na relaksojnë. Ky virus është tinëzar, prandaj ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm. Vetëm me disiplinë maksimale fitojmë. Duhet të jemi bashkë dhe të ndarë: bashkë në luftën kundër virusit, të ndarë nëpër shtëpitë tona për të fituar kundër virusit”, thuhet në njoftimin e dërguar mediave nga Zyra e Kryeministrit.