Vetëm dy ditë pa i mbushur një vit prej kur janë zgjedhur, për shkarkimin e katër kryetarëve të komunës së veriut, më 21 prill do të organizohet proces i votimit.
Kryetarët thonë se punuan aq sa mundën, por nuk besojnë se do të kandidojnë sërish për këtë pozitë.
Partitë politike deri tani nuk janë deklaruar nëse do të kenë kandidatë apo kush do të jenë ata.
Vështrimi nga dritarja ishte forma e tij e vetme për të parë, se çfarë po ngjante jashtë objektit të komunës për gati një vit.
Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi edhe të hënën po vështronte nga dritarja qytetin verior që e udhëheq.
Por, pasi peticioni u nënshkrua nga 20 për qind të qytetarëve të komunës së tij, Hetemi është i bindur që do të mblidhet edhe numri i votave për ta shkarkuar.
“Unë deri tash kam qenë i bindur që nuk kanë me arrit, po qetash jam i bindur që kanë me arrit edhe referendumin, arsyeja është se po e shohim që është angazhuar edhe shteti serb këtu. Jam i bindur që Qeveria e Serbisë ka me i pru edhe ata serbë që punojnë në Serbi dhe ka me i organizua e kanë me kaluar edhe referendumin”, ka thënë Hetemi.
I pari i Leposaviqit, i cili 7 muajt e parë të mandatit i kaloi i ngujuar në komunë, tregon nëse do të rikandidojë sërish për postin e kryetarit.
“Jo nuk besoj, nuk besoj që do të kandidoj më, është e kotë”, ka thënë ai.
Për dallim nga ai, lideri lokal i Zveçanit shprehet skeptik, se do të arrihen votat për shkarkimin e tij.
Por, nëse kjo arrihet, Ilir Peci shprehet i gatshëm të rikandidojë për pozitën e kryetarit.
“Për 20 përqindshin e kemi ditë, sa i përket 50 përqind plus 1, absolut nuk ka shanse me u mbledh, nëse llogariten vetëm qytetarët e Republikës së Kosovës, nëse vijnë dhe votojnë sikur herëve tjera nga Serbia mund të shkojmë edhe qind për qind, por nëse llogariten vetëm qytetarët e Kosovës, të Komunës së Zveçanit nuk ka mundësi me u arrit 50 plus 1 vota. Nëse partia është e interesuar që ne prapë te jemi kandidat, të na përkrahë – pra jeni i gatshëm të rikandidoni- besoj se po”, ka thënë Peci.
RTK provoi ta marrë një përgjigje nga Lista Serbe rreth pjesëmarrjes së saj në rast se organizohen zgjedhjet, por kontakti me ta ishte i pamundur.
Sipas Udhëzimit Administrativ, nëse 50 për qind +1 të qytetarëve në listën e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai shkarkohet nga pozita.