Kryesia e Kuvendit mban mbledhje, në rend dite ligji për Trustin

Sot me fillim nga 11:00 do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite janë pikat e papërfunduara nga seancat plenare.

Në rend dite është votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për vetëqeverisjen lokale, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb, votimi i mocionit nga debati parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend, raporton RTKlive.

Po ashtu në rend dite do të jetë votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, emërimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës,  formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar debat parlamentar për punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës në vitin e parë të mandatit të saj.

Në rend dite është edhe votimi në lexim të dytë i Projektligjit për provimin e jurisprudencës, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pijet e Forta Alkoolike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve, zgjedhja e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.

Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për   akcizën në produktet e duhanit, do të jetë në rend dite, sikurse edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës.