Kryeparlamentarja Osmani mbështet vendimin e Kurtit për masat e reciprocitetit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka mbrojtur vendimin e qeverisë në detyrë të Kosovës, për të zgjeruar masat e reciprocitetit ndaj Serbinë.

Ajo i ka reaguar përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, i cili kërkoi heqjen e këtyre masave dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se të hedhësh poshtë parimin e reciprocitetit do të thotë të refuzosh marrëveshjet e arritura në dialog.

“Marrëveshjet i referohen masave reciproke në tregti dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare. Standardi më i rëndësishëm në tregti është: reciprociteti. Ajo që po bën Kosova është pikërisht ajo që po na kërkoni: të zbatojmë marrëveshjet”, ka shkruar Osmani.