Kryeministri Rama publikon pjesë nga biseda telefonike me presidentin Zelensky


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama konfirmoi sot bisedën telefonike që ka pasur me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërsa tha se presidenti i Ukrainës e falënderoi për gjithçka që Shqipëria po bën në këto ditë tragjike për popullin e tij, për Evropën e për mbarë botën, duke u nisur nga roli si bashkëpenëmbajtës me SHBA në Këshillin e Sigurimit.

Rama i cili postoi një video të shkurtër nga biseda telefonike me Zelenskyn theksoi se i ka shprehur presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë.

“Sot pata një telefonatë nga Presidenti Zelensky, i cili më falënderoi për gjithçka Shqipëria po bën në këto ditë tragjike për popullin e tij, për Evropën e për mbarë botën, duke nisur nga roli ynë si bashkëpenëmbajtës me SHBA në Këshillin e Sigurimit, tek ndihmat e dhëna për ushtrinë ukrainase, si edhe angazhimi intensiv në kanalet diplomatike me partnerë të rëndësishëm, në mbështetje të Ukrainës. 

I shpreha presidentit ukrainas të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë, me të dhe rezistencën ukrainase, si edhe vullnetin e plotë për të bërë gjithçka mundemi në përmasën tonë të vogël, që Ukraina të triumfojë në luftën e saj liridashëse”, shkruan Rama.