Kryeministri Kurti priti në takim gjeneralin Wesley Clark

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ish-komandantin suprem të forcave aleate të NATO-s në Evropë gjatë viteve 1997-2000, gjeneralin Wesley K. Clark.


Në takimin e përbashkët me Zëvendëskryeministren e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Emilija Redžepi, Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe investitorë të huaj, u bisedua për zhvillim e ekonomisë dhe reformat e nisura nga qeveria. Gjenerali Clark e uroi kryeministrin për të arriturat e deritanishme dhe shprehu mbështetje për synimet e qeverisë.


Duke biseduar për angazhimin e qeverisë ndaj perspektivës së re të energjisë, u tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të punojë drejt diversifikimit të burimeve energjetike të vendit dhe ruajtjen e sigurisë së furnizimit. Ministrja Rizvanolli foli për procesin drejt finalizimit të Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2022-2031 dhe planit të veprimit, për një tranzicion të drejtë energjetik për vendin.


U ritheksua angazhimi i Qeverisë për të tërhequr investitorë që do të zhvillojnë kapacitete të reja energjetike që ofrojnë siguri të furnizimit.