Kryeministri Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë në Kosovë, me rastin e publikimit të dokumentit “White Book 2021”, ku adresohen një numër sfidash dhe jepen rekomandime për përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Kosovë.
Si qeveri, tani pothuajse 9-muajshe, jemi të vetëdijshëm çfarë kemi trashëguar nga këto 20 vitet e fundit qeverisëse: investime të huaja direkte dhe eksport për kokë banori më të ulëta në rajonin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, tha Kryeministri Kurti.
Nga “Klima e Investimeve për Kosovë” të Departamentit të Shtetit Amerikan në vitin 2020, ai citoi : “Pengesa më e madhe në Kosovë për tërheqjen e investimeve është korrupsioni i përhapur në prokurimin publik”.
Nga vlerësimet e paraqitura në këtë ‘libër’ shihet qartë se si Qeveria jonë ka trashëguar një qeverisje jo të mirë. Nga shtatë (7) fushat e vlerësuara: Telekomunikimet, Bankimi, Sigurimi, Minierat, Nafta, Farmaceutika dhe Tatimet, vlerësimi mesatar i përgjithshëm për 63% është se nuk ka progres, me ca progres 22%, dhe vetëm 15% me progres të konsiderueshëm. Andaj, kemi shumë punë për të bërë, e shumë sfida përpara, tha kryeministri.
Ndër pikat kryesore të forta përmes të cilave Kosova mund të bëhet shtet lider në rajon për tërheqjen e FDI, kryeministri veçoi reduktimin e zbrazëtirave të infrastrukturës dhe kapitalit njerëzor, rininë tonë, koston konkurruese të punës, normat e ulëta të taksave, nivelet e larta të qasjes në internet, pozita qendrore gjeografike në mes të Evropës perëndimore, Lindjes së afërt dhe Afrikës veriore, dhe lehtësinë e të bërit biznes,.
Si Qeveri e re jemi në proces të shumë reformave për të përmirësuar dukshëm mjedisin e biznesit, theksoi kryeministri Kurti.
Jemi duke punuar në mënyrë aktive për të reformuar klimën e të bërit biznes, për t’u siguruar që korrupsioni nuk do të jetë më i lidhur me autoritetet publike, për t’u siguruar që ligji është i qartë dhe i drejtë për të gjithë dhe që nuk ka asnjë favorizim e padrejtësi në fushën e lojës, shtoi ai.
Ndërsa për rekomandimet e ofruara nga “Libri i Bardhë”, kryeministri tha se do të shqyrtohen me kujdes dhe se shpreson të zhvillohet dialog i mirëfilltë publiko-privat, ashtu që sfidat që i kemi përpara t’i tejkalojmë sa më shpejtë dhe sa më lehtë.
Fjala e Kryeministrit Kurti në publikimin e dokumentit “White Book”:
E nderuara znj. Platon, Zëvendës Shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë,
I nderuari z. Taylor, Drejtor i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Kosovë,
I nderuari zëvendësambasdor i Republikës Federale Gjermane, z. Voss,
Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik,
E nderuara përfaqësuese e Bordit, znj. Afrore Rudi,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Investitorëve Evropianë,
Të nderuar të pranishëm,
Falënderoj Këshillin e Investitorëve Evropianë në Kosovë për ftesën për t’ju bashkuar në këtë ngjarje me rastin e publikimit të dokumentit “White Book 2021”, ku adresohen një numër sfidash dhe jepen rekomandime për përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Kosovë.
Si qeveri, tani pothuajse 9-muajshe, jemi të vetëdijshëm çfarë kemi trashëguar nga këto 20 vitet e fundit qeverisëse: investime të huaja direkte dhe eksport për kokë banori më të ulëta në rajonin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për ta cituar “Klimën e Investimeve për Kosovë” të Departamentit të Shtetit Amerikan në vitin 2020: “Pengesa më e madhe në Kosovë për tërheqjen e investimeve është korrupsioni i përhapur në prokurimin publik.”
Për kontekstin e Kosovës, që ka një bazë relativisht të vogël prodhimi dhe një ekonomi të bazuar kryesisht në importe, rritja e investimeve të huaja do të ishte një mënyrë efektive për ta transformuar ekonominë tonë. Nëpërmjet FDI ne mund të krijojmë më shpejt dhe më shumë vende pune. Pra, investimet e huaja direkte na ofrojnë qasje më të shpejtë në zinxhirët e vlerës rajonale dhe globale, e mbështesin rritjen e eksportit, e rrisin produktivitetin përmes transferit të njohurive (‘know-how’) dhe të teknologjisë, dhe janë mënyra më e mirë për ta rritur konkurrencën e sektorit tonë privat.
Kosova ka pranuar flukse shumë të kufizuara të FDI në këto vitet e fundit. Flukset hyrëse të FDI, veçanërisht investimet e ashtuquajtura ‘Greenfield,’ të cilat priren të kenë ndikimin më të madh në punësim, kanë qenë vazhdimisht më të ulëta se sa në vendet tona fqinje të Ballkanit Perëndimor.
Si rezultat i mungesës së politikave, mekanizmave përkrahës, dhe incentivave fiskale e financiare për tërheqjen e investimeve të huaja direkte prej shpalljes së pavarësisë e këtej, kemi një stagnim në diversifikim të portfolios së FDI. 84% të FDI në vitin 2020 përbëheshin nga “patundshmëritë”, dhe “financat e sigurimet”, respektivisht 201.1 mil euro apo 59% të totalit, 342.4 mil euro kanë qenë blerje e patundshmërive (apartamente, lokale), dhe 85.1 mil apo 25% — ”financa dhe sigurime”.
Një sektor që ka pasë rritje edhe në 2020, përkundër pandemisë COVID-19, është ai i shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve (‘ICT’), nga 56 mil euro në vitin 2018, në 67 mil në vitin 2019, dhe në 72 mil në vitin 2020.
Nga vlerësimet e paraqitura në këtë ‘libër’ shihet qartë se si Qeveria jonë ka trashëguar një qeverisje jo të mirë. Nga shtatë (7) fushat e vlerësuara: Telekomunikimet, Bankimi, Sigurimi, Minierat, Nafta, Farmaceutika dhe Tatimet, vlerësimi mesatar i përgjithshëm për 63% është se nuk ka progres, me ca progres 22%, dhe vetëm 15% me progres të konsiderueshëm. Andaj, kemi shumë punë për të bërë, e shumë sfida përpara.
Por, tani mund të themi se ka shpresë. Si Qeveri e re jemi në proces të shumë reformave për të përmirësuar dukshëm mjedisin e biznesit. Reduktimi i zbrazëtirave të infrastrukturës dhe kapitalit njerëzor, rinia jonë, kostoja konkurruese e punës, normat e ulëta të taksave, nivelet e larta të qasjes në internet, pozita qendrore gjeografike në mes të Evropës perëndimore, Lindjes së afërt dhe Afrikës veriore, dhe lehtësia e të bërit biznes, përfaqësojnë pikat kryesore të forta përmes të cilave ne besojmë se mund të bëhemi shtet lider në rajon për tërheqjen e FDI.
Le të mos harrojmë që Banka Qendrore e Kosovës për këtë vit ka paralajmëruar rritje ekonomike në Kosovë prej 9.9 për qind, eksportet janë shtuar për 2/3 krahasuar me vitin e kaluar, të hyrat tatimore janë rritur për 1/3, dhe investimet e huaja po ashtu janë rritur për 1/3, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti krahasuar me gjashtë mujorin e parë të vitit të kaluar. Njerëzit paguajnë më shumë taksa kur e din që Qeveria nuk keqpërdor, njerëzit paguajnë më shumë taksa kur kanë shpresë që ditët e ardhme do të jenë më të mira se sa ato që i kanë sot, pra, preferojnë të shpenzojnë më shumë se sa të kursejnë dhe gjithashtu Administrata Tatimore ka treguar një lloj disipline të shtuar në këtë vit.
Në anën tjetër e kemi edhe Gjykatën Komerciale e cila do të angazhohet në mënyrë që të mos kemi dhjetëra mijëra sirtar të Pallatit të Drejtësisë me dosje të pluhurosura por ato të trajtohen me shpejtësi e njëkohësisht edhe luftimi i korrupsionit, i krimit të organizuar do ta shtojë besimin që taksapaguesi i Kosovës për çdo cent që jep do ta kuptoj se ku ai edhe shkon.
Nëse në këto dy dekadat e kaluara kryefjala në ekonomi në Kosovë ishte tregu i lirë, kemi nevojë që në dekadën e tretë të shekullit 21, kryefjala të jetë investimi në ekonomi. Pra, do ta kemi edhe më tej ekonominë e tregut mirëpo duhet të kalojmë të kryefjala investim. Ekonomia e Kosovës është jo vetëm e uritur por edhe e etur për investime. Andaj, edhe nëse për shkak të okupimit dhe aparteidit në shekullin e kaluar, edhe për shkak të atyre sistemeve të mbyllura një partiake më ekonomi të dirigjuar, kryefjala e dy dekadave të shkuara ishte tregu i lirë, liria në treg, tash kemi nevojë që të kalojmë te kryefjala tjetër për zhvillim ekonomik, e ky është investimi. Na nevojiten investime të cilat e rrisin punësimin dhe produktivitetin.
Ne jemi angazhuar në miratimin e politikave proaktive për të forcuar konkurrencën tonë në FDI. Ne po punojmë gjithashtu për parandalimin dhe eliminimin e korrupsionit dhe forcimin e cilësisë rregullatore. Tani jemi në proces të draftimit të ligjit të ri për prokurim publik dhe shpresojmë se qysh në muajin shkurt do të keni mundësi që si Këshill, përfaqësues të sektorit privat të jepni sugjerimet e juaja për këtë ligj.
Jemi shtet relativisht jo i madh me resurse të kufizuara. Duhet të prioritizojmë. Planifikojmë që të fokusohemi në top 5-10 sektorë kryesorë për tërheqje të FDI, dhe ndër ta mund të jenë:
(1) Business Process Outsourcing (BPO) e mundësuar përmes TIK-ut (nga qendrat e thirrjes tani deri në një masë kritike të programerëve në vitin 2030-); pastaj
(2) Business Process Outsourcing industriale, nga montazhimi, gjysëm-fabrikimi apo komplet prodhimi i pjesëve elektronike dhe produkteve tjera të destinuara për eksport;
(3) procesimi i ushqimit e agroindustria;
(4) përpunim i metalit;
(5) prodhimi i mobileve dhe përpunimi i drurit;
(6) burimet e ripërtëritshme të energjisë (solare, erë dhe ujë);
(7) industria minerare; etj.
Aftësimin dhe arsimimin profesional do ta orientojmë drejt plotësimit të nevojave për fuqi punëtore për ata sektorë që i seleksionojmë. Jemi vend i cili nuk mund të vazhdojë me një gamë të madhe të kurikulave edhe ashtu në shumë raste të vjetërsuara dhe jo-aq-relevante për nevojat e tanishme të tregut të punës.
Duhet patjetër të urëzohet hendeku i shkathtësive duke e lidhur arsimimin dhe aftësimin profesional në njërën anë me tregun e punës në anën tjetër.
Jemi duke punuar në mënyrë aktive për të reformuar klimën e të bërit biznes, për t’u siguruar që korrupsioni nuk do të jetë më i lidhur me autoritetet publike, për t’u siguruar që ligji është i qartë dhe i drejtë për të gjithë dhe që nuk ka asnjë favorizim e padrejtësi në fushën e lojës.
Ne do t’i shqyrtojmë me kujdes rekomandimet e ofruara nga “Libri i Bardhë” dhe shpresojmë të zhvillojmë dialog të mirëfilltë publiko-privat ashtu që sfidat që i kemi përpara t’i tejkalojmë sa më shpejtë dhe sa më lehtë.
Ju falemnderit!