Kryeministri irlandez: E ardhmja e Kosovës është në BE, nuk është mirë të shohim skena të dhunshme

Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar në vizitën e tij të parë në Kosovë, është shprehur i lumtur që ndodhet në vendin tonë.

Ai pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, u shpreh se ishte një takim shumë konstruktiv.

“Kishim takim shumë konstruktiv dhe mundësi e mirë që të kuptojmë edhe për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtarë dhe të zgjerojmë mirëkuptimet e ndërsjella të pozicioneve të dy vendeve. Diskutuam për marrëdhëniet bilaterale mes Irlandës dhe Kosovës që janë të ngrohta dhe po thellohen edhe më tutje”, tha Varadkar.

Ai shtoi se ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës, derisa u zotua se do ta përkrah Kosovën për anëtarësim në këto dy institucione.

“Kryeministri Kurti dhe unë pajtohemi që e ardhmja e Kosovës në BE dhe në Këshillin e Evropës, dhe do ta përkrahë Kosovën që të bëhet anëtare e KiE këtë vit dhe të fillojmë edhe procesin e negociatave me BE-në për anëtarësim. Kosova po tragon zotimin ndaj vlerave evropiane, i keni harmanizuar edhe politikat e sigurisë me ato të BE që është shumë me rëndësi…”, u shpreh kryeministri irlandez.

Varadkar foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, derisa tha se ky vit është i rëndësishëm që të vendoset stabiliteti në Kosovë.

“Dialogu mes Prishtinë e Brogradit është jetik për të arritur një harmoni dhe për të pasur zhvillim më tej tek të dyja vendet. Ky vit është vit me rëndësi që ky stabilitet të konsolidohet në Kosovë, dhe nuk dua të shoh kthim të skenave të dhunshme që i pamë në shtator dhe në maj”, tha ai.

Kryeministri irlandez në fund tha se Irlanda është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës më 2008, dhe se është krenar për kontributin e ushtarëve irlandez që e bëjnë këtu si pjesë e KFOR-it dhe irlandezet si civil që janë pjesë e EULEX-it. /Telegrafi/