Kryeministri i Serbisë jep dorëheqjen pas protestave masive

Kryeministri serb Millosh Vuçeviq ka dhënë dorëheqjen të martën pas muajsh protestash në Serbi.

Dorëheqja e Vuçeviqit erdhi vetëm një ditë pasi presidenti Aleksandar Vuçiq paralajmëroi një “rikonstrukturim urgjent dhe të gjerë të qeverisë” në përgjigje të kërkesave të paraqitura nga studentët grevistë të universitetit të Serbisë, përcjell Telegrafi.

Megjithatë, Vuçeviq tha se ai u nxit të jepte dorëheqjen të martën në mëngjes pasi pa raportime për sulme kundër studentëve protestues në qytetin verior dhe kryeqytetin rajonal të Novi Sadit.

“(Qeveria) duhet të tregojë … nivelin më të lartë të përgjegjësisë”, tha ai në një konferencë shtypi të martën.

“Për të mos ngritur më tej tensionet në shoqëri, mora vendimin që sapo shpalla”, citohet të ketë thënë ai.

Kujtojmë se të hënën, demonstruesit filluan një bllokadë 24-orëshe të një kryqëzimi kyç të trafikut në kryeqytetin Beograd, duke rritur presionin mbi autoritetet.

Fermerët serbë me traktorë dhe mijëra qytetarë iu bashkuan bllokadës që pasoi protesta javësh duke kërkuar përgjegjësi për një aksident vdekjeprurës në Novi Sad, të cilin kritikët e kanë fajësuar për korrupsionin e shfrenuar të qeverisë.

Një fushatë e demonstratave në rrugë ka paraqitur sfidën më të madhe në vite për kontrollin e fortë të qeverisë së Partisë Progresive Serbe (SNS) mbi pushtetin në Serbi.

Kryetari i komunës së Novi Sadit, Milan Gjuriq, gjithashtu pritet të japë dorëheqjen të martën. Vuçeviq, i cili vjen nga Novi Sadi, ishte gjithashtu kryetar i qytetit nga viti 2012 deri në vitin 2022.