Kryeministri Hoti viziton fabrikën e bllokave ‘’Silcapor’’ në Kaçanik

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti në kuadër të Javës së Biznesit Kosovar 2020, ka vizituar fabrikën e prodhimit të bllokave ‘’Silcapor’’ në Kaçanik.

Kryeministri Hoti nga pronari i kësaj kompanie Zelqif Berisha, është njoftuar nga afër me kushtet e punës dhe vështirësitë që i ka shkaktuar për këtë kompani prodhuese pandemia Covid-19.

Kryeministri Hoti e ka njoftuar, Berisha me planet e Qeverisë për mbështetje komunitetit të biznesit me një pako të re të rimëkëmbjes ekonomike në vlerë prej 182 milionë euro, që pritet të finalizohet në fillim të vitit 2021.

‘’Po mundohemi të bëjmë maksimumin me instrumentet që i kemi në dorë dhe mundësitë buxhetore. Deri tash kemi arritur që të shpërndajmë rreth 270 milionë euro në masa të ndryshme përfshirë edhe masën  e fundit prej 60 milionë euro’’, tha kryeministri Hoti.

Gjatë vizitës në fabrikën e bllokave ‘’Silcapor’’ në Kaçanik, Kryeministri Hoti ka qenë i shoqëruar nga Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi dhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit,  Agim Shahini.