Kryeministri Hoti uron Presidentin e SHBA-ve Biden

Kryeministri në detyrë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i ka dërguar telegram urimi Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden. 

“Jam shumë i lumtur të theksoj se Republika e Kosovës ka marrëdhënie shumë të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në historinë e fundit të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol vendimtar”, thuhet midis tjerash në telegram. 

Kryeministri në detyrë Hoti e ka siguruar Presidentin Biden, se Qeveria e Republikës së Kosovës, të gjitha partitë e saj politike, pozita dhe opozita janë plotësisht të përkushtuara për të kultivuar dhe forcuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Unë jam i përkushtuar të punojë me administratën tuaj për të forcuar institucionet demokratike, integrimin Euro – Atlantik dhe për t’u bërë një bartës i stabilitetit”, thuhet në letër.

Kryeministri Hoti, me këtë rast, ka shprehur falënderimet dhe mirënjohjet për Presidentin Donald Trump dhe administratën e tij për mbështetjen e dhënë për proceset demokratike në Kosovë, dhe integrimet ekonomike rajonale.