Kryeministri Hoti: Të pagjeturit janë plagë e hapur e shoqërisë sonë

Me rastin e 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti priti sot në takim përfaqësuesit e Këshillit koordinues të shoqatave të familjarëve të të pagjeturve, të kryesuar nga Ahmet Grajçevci, kryetar.

Më këtë rast, kryeministri Hoti tha se përkushtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe angazhimi për zbulimin e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, ka qenë dhe vazhdon të jetë prioritet i përhershëm.


“Jemi të vetëdijshëm se kjo është një çështje shumë e ndjeshme, një kapitull i dhembshëm për te gjithë ne, prandaj jemi duke bërë përpjekje maksimale që çështja e të pagjeturve pashmangshëm të jetë pjesë e marrëveshjes së mundshëm me Serbinë”, theksoi kryeministri Hoti, duke shtuar se çështja e të pagjeturve mbetet plagë e hapur e shoqërisë tonë dhe ju siguroj se vëmendja dhe kujdesi ynë për këtë çështje nuk do të mungojnë derisa të mbyllet përfundimisht kjo çështje.


Po ashtu, kryeministri Hoti kërkoi që të punohet më shumë për grumbullimin, sistemimin dhe arkivimin e dokumentacionit për personat e pagjetur.


Ndërsa, z. Ahmet Grajçevci, duke e njoftuar kryeministrin Hoti për ecurinë e procesit të kërkimit të personave të pagjetur, theksoi se deri tani janë gjetur afër 75 për qind e personave të pagjetur. Ai e vlerësoi bashkëpunimin me Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, si dhe kërkoi përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për funksionimin e këtij Këshilli.

Po ashtu, ai shtroi nevojën e përmirësimit sa më të shpejtë të Ligjit për familjarët e të pagjeturve, në mënyrë që të tejkalohen mangësitë në trajtimin e duhur të familjeve me personave të pagjetur.