Kryeministri Avdullah Hoti ka kërkuar t’i mundësohet që, në njërën nga seancat e ardhshme, të raportojë në Kuvend për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.
Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga Zyra e Kryeministrit.
Këtë kërkesë, Hoti e ka bërë përmes një letre drejtuar anëtarëve të kryesisë së Kuvendit dhe kryetares, Vjosa Osmani.
Teksti i plotë i letrës:
E nderuara Kryetare e Kuvendit,
Të nderuar anëtarë të Kryesisë së Kuvendit,
Më 4 shtator 2020, në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, është arritur një Marrëveshje e rëndësishme për vendin tonë lidhur me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky është hap shumë i rëndësishëm drejt marrëveshjes përfundimtare për normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe njohje reciproke në mes të dy shteteve.
Në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive të mia kushtetuese e ligjore, jam i gatshëm që në njërën nga seancat e radhës të Kuvendit të Republikës së Kosovës të raportoj para deputetëve për marrëveshjen në fjalë, si dhe për procesin e dialogut në përgjithësi.
Ndryshe, partitë opozitarë gjithashtu kanë kërkuar që Hoti të raportojë në Kuvend, pas arritjes së marrëveshjes në SHBA.
Madje, Partia Demokratike e Kosovës ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për të kërkuar seancë të jashtëzakonshme, për raportimin e kryeministrit të vendit, Avdullah Hoti lidhur me takimet e delegacionit të Kosovës në Uashington dhe marrëveshjen e nënshkruar.
Mbledhja e nënshkrimeve ka filluar të hënën, ndërkaq PDK-ja gjatë ditës së sotme do të kontaktojë edhe me partitë e tjera për mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se kanë dërguar në Kuvendin e Kosovës thirrje që kryeministri i vendit, Avdullah Hoti të raportojë për marrëveshjen e 4 shtatorit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.