Shkruan: Veton Çoçaj
Pesëdhjetë e gjashtë mijë (56,000) qytetarë nga Kosova kanë kërkuar vizë pune në vetëm në Ambasadën Gjermane gjatë muajit dhjetor të vitit 2021.
40,000 qytetarë kanë humbur vendet e punës vetëm në vitin 2021 sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK). Me këtë trend të ikjes së të rinjve, shumë shpejt do t’ia kalojmë Japonisë me popullsinë më të vjetër (të mbetur) në Kosovë.
‘Ndalja e trurit’ është temë e fushatave elektorale e përsëritur mjaft shumë vitet e fundit. Ka shumë arsye pse po e lëshojnë vendin qytetarët pa shkollim apo edhe ata që kanë shkollim superior, e disa arsyet më të rëndësishmet janë:
● Ligji i Punës – shkaku numër 1 që ikin qytetarët nga Kosova. Përderisa në shërbimin civil ka pabarazi në paga, në sektorin privat ka shumë më shumë probleme e padrejtësi që bëjnë kompanitë punëmarrëse në Kosovë;
Oraret e tejzgjatura pa pagesë dhe puna të shtunave dhe të dielave, të cilat kalojnë 40 orët në javë (deri në 50 orë çdo javë e 200 orë në muaj);
Pagat minimale që nuk mbulojnë as shpenzimet mujore elementare, shto këtu edhe shtrenjtimin e rrymës deri në 100% nga 01.02.2022;
Pushimet vjetore që nuk ua japin kurrë;
Mungesa e sigurisë në punë;
Mungesa e sigurimeve shëndetësore sidomos në punët që kanë rrezikshmëri të lartë;
Pushimet e lehonisë të papaguara nga kompanitë private etj etj., janë vetëm disa nga problemet që shkaktojnë ikjen e qytetarëve nga vendi.
Për këtë problem madhor ishin premtuar 400 Inspektor të Punës, mirëpo kemi hyrë në vitin e dytë të qeverisjes dhe nuk janë buxhetuar asnjë më shumë se sa ishin në vitin 2019 (vetëm 39).
● Mungesa e Sigurimeve Shëndetësore – edhe në vitin 2022 hyjmë pa sigurime shëndetësore. Mjekësia më lirë në Ballkan e shërimi më i shtrenjtë në Europë do të vazhdoj pa ndryshim siç po shihet nga këto dy vitet e para të qeverisjes së VV – së.
● Mungesa e Sistemit Informativ Shëndetësor – kjo po na shkatërron çdo ditë. Përvojat personale na tregojnë çdo ditë e më shumë nevojën e këtij sistemi. Shembull: brenda 10 dite një pacient merr 3 terapi të ndryshme për ftohje apo grip sezonal. Mjekët tonë në mungesë të historisë digjitale të pacientëve vazhdojnë të trajtojnë pacientet sikur të ishte hera e parë e tyre për çdo ditë që ata kërkojnë trajtim shëndetësor.
Funksionalizimi i këtij sistemi do ta bënte më të lehtë punën e mjekëve, kontrollin më të madh të përshkrimit të ilaçeve dhe siguri më të madhe në trajtim të shëndetit të qytetarëve.
● Mungesa e Ligjit të Pagave – rreth 80mijë shërbyes civil mbështeten në këtë Ligj. Pabarazia që është në këtë aspekt bënë që shumë të tillë të lëshojnë vendet e punës dhe të shikojnë ka vendet e Europës.
Për “inat” të shërbyesve civil, Qeveria sot ndau 75 milionë euro për rrymën, e cila do t’i paguhet KEDS-it, e aq sa pagesa rrymës për Veriun, parasheh kosto edhe Ligji i Pagave për 80 mijë qytetarë të Kosovës.
Mjeku nuk do të paguhej sa shoferi i ministrit, infermieri do të trajtohej siç meriton, arsimtari, polici, zjarrfikësi, shërbyesi civil i administratës etj., do të kishin pagën meritore sipas detyrave dhe përgjegjësive që kanë.
● Mungesa e Ligjit për Pensionimin e Parakohshëm në Polici – për herë të parë pas luftës Policia e Kosovës ka bërë fushatë stimuluese për aplikim në polici. E gjithë kjo për shkak të mungesës së interesimit të të rinjve për t’u bërë polic. Pse? Sepse nuk kane sigurime shëndetësore, sepse nuk ka Ligj të Pensionimit të Parakohshëm për Policinë e Kosovës.
Është viti i dytë i qeverisjes edhe ky problem nuk është i buxhetuar në vitin 2022.
Dhe kështu do të vazhdojmë me Policinë më të moshuar në Ballkan.
Në këtë Qeveri ministrat e ministrive që mbulojnë këto probleme madhore e kruciale në lehtësimin e jetës së qytetarëve, nuk i’a kanë idenë edhe më të vogël të japin zgjidhje për qytetarët.
Thjeshte rrinë dhe presin nga Kryeministri që të jap zgjidhjen për çdo gjë, ndërsa Kryeministri siç duket pa rregulluar që KEDS të rrisë fitimin Neto të kënaqshëm për ta, me para të taksapagueseve, nuk ka në plan të merret me problemet e qytetarëve të Kosovës.
Andaj Kryeministër, para se të ndalni trurin nga ikja, vendosni pak “tru” në Ministritë përkatëse që ndihmojnë të bindet ndalja e ikjes së qytetarëve tonë nga Kosova.
(Autori është ekonomist i diplomuar)