Kryegjyqtarja e Elbasanit Enkelejda Kapedani, ka reaguar sërish pas videove të publikuara në rrejtet sociale ku ajo shihej teksa dëgjonte muzikë “Rap” dhe bënte “sfilatë” në ambientet e brendshme të Gjykatës së Elbasanit.
Në këtë reagim të dytë, Kapedani ka përsëritur se këto video sipas saj janë publikuar për t’i prishur imazhin. Më tej ajo ka shtuar se shpreson që këto sulme të mos jenë ndaj saj personalisht pasi është grua dhe nënë.
Më tej, Kapedani i kërkon ndjesë atyre që mund të jenë ndjerë keq nga ato video.
“Qëndrimi im në lidhje me shpërndarjen e disa videove nëpër media. Si gjyqtare në radhë të parë dhe si nënkryetare e Gjykatës ndjehem keq nga publikimi i këtyre videove vetëm për të më dëmtuar imazhin.
Unë si gjyqtare e kam të ndaluar të komentoj, por do pres me qetësi verifikimin e kësaj situate. As si individ as si gjyqtare nuk jam krenare për videot e publikuara.
Shpresoj që ky sulm mos të jetë ndaj meje sepse jam grua dhe nene. Ndërsa kërkoj ndjesë për cilindo që është ndjerë keq nga ato video. Dua të theksoj me forcë se asnjë insinuatë apo përbaltje nuk do më influencojnë të jap drejtësi dhe të punoj ndershmërisht si deri më sot.” është shprehur Enkeljda Kapedani.
Kujtojmë se pas publikimit të videove në media, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj kryetares së Gjykatës së Elbasanit.
“Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u njoh me materialet filmike të shpërndara në media mbi magjistraten E. K, kryetare e Gjykatës Elbasan. Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates për rastin”, thuhet në njoftimin e ILD.