Kriza në Telekom – Z Mobile e kërkon borxhin, Qeveria pret zgjidhje, e punëtorët protesta

Rreth orës 17.00, Telekomi i Kosovës ka pranuar një urdhëresë nga përmbaruesi që brenda 60 minutave, nga llogaria e tyre bankare të paguhet borxhi prej më shumë se 26 milionësh, Z- Mobile.

Para këtyre zhvillimeve, ka pasur edhe një takim në mes të drejtuesve të Telekomit, “Z Mobilie” dhe Qeverisë u diskutua rreth gjetjes së një zgjidhjeje për llogaritë, raporton KOHA.

Ndërkohë Sindikata e punëtorëve të Telekomit ka dërguar kërkesë në Polici për mbajtjen e protestës të enjten.

Lidhur me gjendjen në Telekom pas bllokimit të llogarive bankare, ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka raportuar në Komisionin parlamentar për Ekonomi.

Ai tha se ka kërkuar arritjen e një marrëveshjeje nga “Dardafone” që të paktën deri më 1 tetor kjo kompani t’i zhbllokojë llogaritë bankare të Telekomit.

U. d. kryeshefja ekzekutive e Telekomit, Burbuqe Hana, ka thënë se janë duke përgatitur një kundërpadi në Arbitrazh ndaj “Dardafone”-it për bllokimin e llogarive bankare.

Sipas saj, asnjë qeveri nuk ka bërë asgjë për ta mbështetur kompaninë, pasi që me gjithë argumentet e mjaftueshme në favor të Telekomit nuk është pasuar me kundërpadi.

Deputetja Kusari-Lila ka kërkuar zhbllokimin e llogarive, por jo me marrëveshje dhe me kushtëzime nga ana e “Dardafonet”.

Derisa Pal Lekaj tha se “Dardafone” nuk do të ketë mëshirë ndaj Telekomit, pasi ka fituar të drejtën në institucionet e drejtësisë, derisa ka kërkuar angazhim në krijimin e një strategjie për riprogramim të borxhit ndaj operatorëve të tjerë.

Telekomi pos borxhit ndaj “Z-Mobile”, edhe 7 milionë euro i ka borxh Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

Më 15 korrik Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka njohur të drejtën “Dardafon.net/Z-Mobile” për përmbarimin e borxhit që Telekomi i ka kësaj kompanie, sipas vendimit të Arbitrazhit, e që është 26.7 milionë euro.