Zyrtarisht nuk dihet se sa është sasia e prodhimit të energjisë elektrike ditëve të fundit në Kosovë. Megjithatë, qytetarët vazhdojnë të përballen me reduktimet gjashtë në favor të dritës e dy në terr – kurse të paktën tri blloqe për prodhimin e energjisë elektrike janë jashtë funksionit. Gazeta Insajderi, merr vesh se përveç Blloku A5 dhe atij A3, edhe blloku B2, që do të duhej të niste punën me 26 gusht – nuk është duke prodhuar energji
Gjashtë orë me rrymë dhe dy pa të – me këto reduktime është duke u përballur vendi që nga 15 gushti kur edhe u njoftua zyrtarisht nga Koroporata Energjetike e Kosovës, se vendi ka probleme me prodhimin e mjaftueshëm për nevojat e qytetarëve.
Pavarësisht se të njëjtën ditë qeveria njoftoi se ka gjetur zgjidhje duke blerë rrymë nga Shqipëria në bazë të një marrëveshjeje që ishte arritë më heret, reduktimet nuk u ndërprenë.
Madje ato u ashpërsuan, kur ditën e diele ra nga funksioni edhe blloku A3, shkruan Gazeta Insajderi.
Korporate Enrgjetike njoftoi për arsyet e rënies së këtij blloku.
“Sot rreth orës 10:00, në kaldajë të njësisë prodhuese A-3 janë shfaqur rrjedhje të ujit dhe si pasojë është pamundësuar mbajtja e kësaj njësie në operim”.
Por, kompania nuk tregoi se kur do të rikthehet në funksion të prodhimit normal të energjisë ky bllok.
“Ekspertët e KEK-ut janë duke dhënë maksimumin për ri kthimin e njësisë në operim në kohë optimale. Aktualisht ka filluar procesi i ftohjes së njësisë në mënyrë intensive, pastaj do të bëhet inspektimi i cili pason me sanimin e rrjedhjes në kaldajë dhe përgatitjet për kthimin e kësaj njësie në operim”, tha më tej në njoftim KEK.
Për përkeqësim të situatës pas rënie së këtij blloku njoftoi edhe KEDS.
“KOSTT-i ka kërkuar sot nga KEDS që si pasojë e rënies nga sistemi të njësisë A3, të bëjë kufizime emergjente të energjisë elektrike. Kjo bën që në vend aktualisht të prodhohen më pak se 400 megavatë, që e bën situatën aspak të favorshme”, u tha në njoftim ndërkohë që reduktimet vazhdonin.
Kjo kompani përveç që bëri thirrje për kursim të shpenzimeve të rrymes, tha se e ka të vështirë madje të njoftoj me kohë për reduktimet.
Gazeta Insajderi, ka kërkuar informacione nga kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut Nagip Krasniqi, lidhur me kapacitetet që janë në funskion dhe sasisë së prodhimit të rrymë si dhe lidhur me rënien e këtij blloku, por Krasniqi nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.
Ai nuk ka treguar as se kur do të kthehet në funksion të prodhimit A3-shi.
Ndërkohë që vazhdojnë reduktimet dhe nuk jepen informacione se çfarë po ndodhë me Bllokun A3, jashtë funskionit ndodhet edhe një bllok tjetër.
Insajderi, merr vesh nga burime brenda KEK se njësia Blloku 2, do të duhej të riniste prodhimin me 26 gusht, pasi që kishte qenë duke u riparuar që nga data 5 gusht.
Mirëpo sipas këtyre burimeve një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Rrjedhimisht Blloku 2, nuk ka rinisur prodhimin.
Gazeta Insajderi, lidhur me mos kthimin në prodhim të këtij blloku e ka pyetur kryeshefin e KEK-ut Nagip Krasniqi, lidhur me këtë blloqe, mirëpo ai nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.
Njësia B2 dhe A3 nuk janë të vetmet, që po ndikojnë në rënien e prodhimit dhe rëndimin e furnizimit. Gazeta Insajderi, raportoi para disa ditësh se vendi është duke humbur 130 megavatë prodhim për arsye të mos riparimit me kohë edhe të njësisë A5.
Hulumtimi i Insajderit rreth historisë së dështimit të riparimin të Bllokut A5
Njësia A5 që do të arrin të prodhojë 130 megavatë orë të energjisë elektrike nga KEK është dashur të riparohej shumë kohë më parë. Një hulumtim i Insajderit ka zbuluar se fillimisht këtë riparim e bllokoi këshilltari i bordit, një figurë politike e Vetëvendosjes e dërguar atje pas anëtarësimit në parti dhe pas pensionimit, si dhe drejtori aktual, i caktuar nga bordi që e dërgoi Qeveria Kurti.
Edhe një tender milionësh po për riparimin e kësaj njësie ka dështuar.
Gazeta Insajderi raportoi se më 21 korrik të këtij viti Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka publikuar në faqen e saj njoftimin e fundit për fatin e njësisë prodhuese A5 të termocentralit Kosova A.
“Njësia A-5 është ndalur për qëllim inspektimi dhe riparimi, pra kjo ndalje është bërë sipas planit për revizion konform planit të përditësuar të remonteve dhe revizioneve, duke respektuar në tërësi obligimet kontraktuale ndaj furnizuesit publik”, thuhej në këtë njoftim, dhe informacion tjetër se kur do të vihet në funksion nuk kanë dhënë.
Por gazeta gjenë se historia me riparimin e kësaj njësie që prodhon 130 MË energji elektrike dhe dështimi për ta riparuar vet atë është i kamotshme.
Në është përfshirë edhe këshilltari i jashtëm i KEK për një kohë, Gazmend Begolli i partisë së Kryeministrit Albin Kurti.
Mbi një vit më parë, ekipi i angazhuar me këtë punë, kishte njoftuar menaxhmentin e KEK-ut se “arsyet e anulimit te projektit Riparimi Kapital i kaldajës se bllokut A5 nuk është puna e bursës”, por një problem krejt brenda kësaj korporate me 100% aksionar Qeverinë e Kosovës.
“Është kërkesë e këshilltarit të bordit (Gazmend Begolli) dhe njëkohësisht drejtorit menaxhues (Nagip Krasniqi)”, thuhet në këtë komunikim të brendshëm që e ka siguruar Insajderi.
Ky dokument i brendshëm i KEK, i siguruar nga Gazeta Insajderi që për ndaljen e riparimit të njësisë që prodhon 130 MË, e që fajin ia hedh këshilltarit të bordit, Gazmend Begolli e drejtorit Nagip Krasniqi, kishte mbetur një njoftim që nuk u bë publik.
Por, publike janë tendencat e KEK që këtë punë tash ta bënte përmes tenderit publik, që në fund dështoi si i tillë.
Njoftimi për të kërkuar një kompani që do të riparonte këtë njësi u bë më 10 qershor të këtij viti. “Riparimi kapital i turbinës, gjeneratorit dhe kaldajës bl.A5”, është titulli i këtij tenderi, dhe që të trija punët ishin futur në një vend. /Gazeta Insajderi