Kritika për bllokim të Kuvendit: VV-ja akuzon LDK-në e partitë tjera, PDK-ja LDK-në e VV-në

Shefi i Grupit parlamentar të LVV, Rexhep Selimi ka akuzuar LDK dhe partitë e tjera për papërgjegjshmëri ndaj qytetarëve.

Ai këto komente i bëri pas mbledhjes së Kryesisë, të hënën.

Njëjtë ja akuzuar edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza. Ai ka akuzuar VV-në dhe LDK-në.

“Ishte një riciklim i temave që i kemi trajtuar tash e disa herë në mbledhjet e kaluara. As për fajin e as për meritën tonë, por mbetemi në pozicione të njëjta sa i përket qëndrimeve të subjekteve politike. Papërgjegjshmëria totale e grupeve të caktuara parlamentare, të cilat as nuk duan funksionim të Kuvendit e as zgjedhje të reja, por vazhdojnë ta mbajnë Kuvendin peng. Në veçanti LDK-ja dhe partnerët e saj po vazhdojnë të jenë shumë të pandërgjegjshëm për dëmin që po ia shkaktojnë qytetarëve të Kosovës. Sot ishte një agjendë e zgjeruar e rendit të ditës, ku ne nuk arritëm ta procedojmë më tutje me një seancë që do të duhej të ndodhte gjatë kësaj jave. Në mesin e tyre ka edhe marrëveshje ndërkombëtare që nëse nuk miratohen qytetarët do të humbnin shumë”, ka thënë Selimi.

E Hamza i PDK-së, tha se “këta që janë shkarkuar po e pengojnë punën e Kuvendit, sikurse edhe ata që duan të vijnë.

“Këta që kanë qenë në qeveri e që janë shkarkuar dhe këta që po dojnë me ardh në qeveri, janë duke bërë veprime të cilat janë duke e penguar punën e Kuvendit. Ne si PDK ka afërsisht qe dy muaj që i kemi proceduar disa iniciativa ligjore që ne vlerësojmë që janë ndihmesë e qytetarëve të vendit. Ne e dimë që pa u kry baza legale nuk ka mundësi që masat ekonomike të implementohen në tërësi. Ne kemi qenë të hapur edhe për grupet e tjera parlamentare që të kenë mundësi që të japin kontributin e vet. Çdo ditë që vonohemi, efekti ka me qenë më i madh. Tentativisht e lamë edhe një mundësi që më 4 qershor ndoshta do të ketë një mundësi të ketë një seancë të Kuvendit. Jemi në favor të asaj që Kuvendi ta kryejë punën e vet. Krahas nismave tona legjislative ne i përkrahim të gjitha marrëveshjet financiare në mënyrë që vendi të përfitojë”, ka thënë Hamza.