Bitcoini ka filluar që t’i ngjasojë përherë e më shumë një mjeti më të kursyer pagese sesa valutat tradicionale – madje edhe ari – krejt deri në kohën kur valutat digjitale pësuan rënie prej 44 për qind muajin e shkuar. Por janë disa mënyra për ta bërë dallimin dhe për ta zbërthyer botën e ndërlikuar të kriptovalutave
Dollari amerikan dhe euroja janë shembujt më tipikë të valutave tradicionale – bankënotave dhe monedhave të lëshuara nga qeveritë, vlera e të cilave varet prej politikave ekonomike dhe fuqive ekonomike të akëcilit vend.
Termi valuta tradicionale apo “fiat valuta” buron nga fjala latine që e ka kuptimin “ le të bëhet”.
Dollari, për shembull, e ruan vlerën e saj falë pozicionimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si forca shtytëse e ekonomisë globale.
Sipas raportimit të gjermanes Deutsche Welle, shumica e mallrave, nisur prej naftës deri tek ari, blihen dhe shiten me dollarë, duke ia dhënë kësisoj valutës amerikane të ashtuquajturin status të rezervuar (bankat qendrore të shumicës së vendeve mbajnë sasi të konsiderueshme të dollarit). Ngjashëm kështu, fuqia e ekonomisë së eurozonës ka ngritur vlerën e euros, e cila është valuta e dytë më e zakontë e ruajtur në rezerva.
Përveç bankënotave dhe monedhave në qarkullim, pjesa më e madhe e furnizimeve me valuta tradicionale krijohet në mënyrë digjitale, qoftë nëpërmjet bankave qendrore, të cilat më pas vërtetohen nga bankat e mëdha, qoftë duke u krijuar nga vetë bankat në forma të huave për qeveritë, bizneset dhe konsumatorët.
Digjitalja karshi tradicionales
Kriptovalutat, nga ana tjetër, janë private dhe operohen në mënyrë të pavarur prej qeverive.
Bitcoini, shembulli më i famshëm i parave digjitale, është shfaqur në vitin 2019, gjatë krizës financiare si rezultat i shqetësimeve rreth stabilitetit të sistemit global financiar, ka shkruar DW në analizën e saj mbi dallimin midis kriptovalutave dhe parave tradicionale.
Shumë shpejt ajo ka marrë shtysë të re nga droja prej jostabilitetit politik dhe qeverive që ishin përfshirë në borxhe të tepërta. Aktualisht ekzistojnë më shumë se 5.000 transaksione bitcoini në një treg me vlerë prej 1 biliard dollarësh apo 820 miliardë eurosh.
“Transaksionet e bitcoinit verifikohen në mënyrë digjitale nëpërmjet përdorimit të teknologjisë së njohur si ‘blockchain’, e cila nuk ndërlidhet me një server por me një rrjet global kompjuterësh, në atë që i bën ato më pak të cenueshme karshi mashtrimeve. Ky njëherësh është një proces që e lejon mihjen e monedhave të reja, ani pse ekziston një tavan për krijimin e bitcoinëve të rinj – 21 milionë – shifër kjo që pritet të arrihet deri më 2040”, ka shkruar Deutsche Welle në analizën e saj.
Bitcoini ka shënuar rritje të vlerës prej 0.0008 dollarësh në 0.08 dollarë në pesë ditët e saja të para të paslansimit dhe që atëherë ka prekur kulmin, me vlerë më të lartë se afro 60.000 dollarë, para se të merrte tatëpjetën me rënien prej 40 për qind muajin e shkuar.
Po çfarë ndodh me arin dhe valutat?
Shumë valuta tradicionale, si dollari dhe funti britanik (i cili më herët ka qenë mes valutave kryesore të rezervave në botë), dikur mbroheshin prej mallrave të mangëta, si ari dhe argjendi, të cilat ndihmuan që vlera e tyre të ruhej.
Valutat tradicionale mund të bëhen të pavlera po qe se qeveritë shtypin së tepërmi sosh, si në rastin e viteve 1920 në Gjermani. Vendi asokohe ishte zhytur në borxhe të thella dhe përballej me sanksione ekonomike, pas disfatës në Luftën e Parë Botërore, të cilën gjë qeveria ishte munduar që ta kompensonte me shtypjen masive të bankënotave. Deri në nëntorin e 1923-s, 1 dollar vlente sa 4.210.500.000.000 marka.
“Deri në Depresionin e Madh të të 30’ave, poseduesit e dollarëve mundnin që në teori t’i këmbenin paratë e tyre për arin e ruajtur në arkat federale amerikane. Më 1971, presidenti amerikan Richard Nixon e shkëputi dollarin prej arit, duke e shndërruar në valutë tradicionale. Asokohe vlera e arit kapte shifrën prej 35 dollarësh. Sot çmimi është 1,920.80 dollarë”, ka shkruar DW.
Ari dhe argjendi vazhdojnë të jenë asete popullore, sidomos gjatë krizave ekonomike. Disa ekonomistë madje kërkojnë që valutat më të mëdha të botës t’i kthehen të ashtuquajturit Standard i Artë. Të tjerët pretendojnë se mënyra transparente sipas së cilës mihen bitcoini dhe kriptovalutat e tjera i bën ato po aq të besueshme për investime sa edhe metalet e çmueshme dhe valutat e mbështetura prej arit. Ata kanë parashikuar, sipas DW-së, se kur numri i plotë i bitcoinëve të vihet në qarkullim, valuta digjitale mund të kapë vlerën prej 514.000 dollarëve.
Kritikët e kriptove aludojnë në brishtësinë e egër të vlerës së bitcoinit, etherit dhe të tjerave, në atë që i bën ato të vështira për biznes. Tesla, për shembull, ka njoftuar në mars se do ta pranojë bitcoinin si valutë për blerjen e automjeteve të saja elektrike, por vetëm dy muaj më vonë është zmbrapsur nga vendimi.
A do t’i zëvendësojnë kriptot valutat tradicionale?
Kina është duke e testuar aktualisht valutën e saj digjitale, jenin digjital. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë bërë të ditur se është vetëm çështje kohe kur krejt valutat të kalojnë në digjitale, në diçka që do t’u ngjasojë kriptove.
“Shumë analistë financiarë mendojnë se teknologjia prapa valutave si bitcoini do të jetë efikase për përhapjen e versioneve digjitale të valutave ekzistuese që mbështeten prej qeverive”, ka shkruar gjermania Deutsche Welle.
Mbështetësit e bitcoinit pretendojnë se pamjaftueshmëria e valutave private do ta ndihmojë kredibilitetin e tyre mes investuesve, si rrjedhojë e stimulimeve masive dhe shtypjes së parave nga bankat qendrore të botës në kohën e pandemisë së COVID-19.
Megjithëkëtë disa platforma të tregtisë me kriptovaluta janë mbyllur si pasojë e hulumtimeve për mashtrime dhe shpëlarje parash, që përfshinin me miliardë dollarë. Qeveritë në Kinë, Indi dhe Turqi së fundi kanë shtuar presionin ndaj tregtisë me kriptovaluta, në një frenim madhor për planet e rritjes dhe pranimit të gjithmbarshëm.
Dhe njëherësh, në lojë duket të jenë edhe rregullimet më të ashpra nga qeveritë perëndimore, ka shkruar Deutsche Welle. \ Analizë e Deutsche Welles