Krerët e opozitës ftohen nga Chollet për takim në Ambasadën Amerikane

Nga LDK e AAK kanë konfirmuar se Lumir Abdixhiku e Ramush Haradinaj kanë pranuar ftesat për takimin e së martës në mengjes me Chollet, në Ambasadën Amerikane në Prishtinë. Pjesë e këtij takimi të Këshilltarit të DASh me krerët e partive opozitare në Kosovë do të jetë edhe kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi. 

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i shoqëruar nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të martën në mëngjes do të zhvillojnë një takim të përbashkët me liderët opozitarë. Aty pritet të jetë edhe ambasadori Jeff Hovenier, në ‘shtëpinë’ e të cilit organizohet takimi.

Takimi është thirrur nga Këshilltari i DASh’it, që të hënën pasdite ateron në Prishtinë, i shoqëruar nga Escobar. Dyshja amerikane në Kosovë do të qëndrojnë edhe të martën, ku përveç me krerët opozitarë, takime parashihet të zhvillojnë edhe me krerët e shtetit, Presidenten Vjosa Osmani e Kryeministrin Albin Kurti.

Ftesës për takim me Këshilltarin Chollet, i cili është paraparë të mbahet në Amasadën Amerikane në Prishtinë, i janë përgjigjur pozitivisht të tre liderët e opozitës — Memli Krasniqi i PDK’së, Lumir Abdixhiku i LDK’së si dhe Ramush Haradinaj i AAK’së.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, prezencën e kryetarit Lumir Abdixhiku në këtë takim e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësja Sibel Halimi.

“Po, e konfirmuar se kryetari Abdixhiku do të marrë pjesë në takim”, deklaroi Halimi.

Ftesës për takim, i është përgjigjur pozitivisht edhe lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj. Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i kësaj partie, Kushtrim Xhemajli.

“Po, kryetari Haradinaj ka ftesë dhe do të merr pjesë në takim me Këshilltarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet”, ka konfirmuar Xhemajli për Gazetën Online Reporteri.net.

Nga ana tjetër, ndonëse ende nuk ka konfirmim zyrtar, Gazeta Online Reporteri.net me burime ka konfirmuar pjesëmarrjen edhe të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqit.

Vizita e Derek Chollet dhe Gabriel Escobar në Prishtinë zhvillohet në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në 4 komunat e Kosovës me shumicë serbe.

Gabriel Escobar takime të ngjashme pune me krerët e opozitës ka zhvilluar edhe në tre herët e tjera kur ka vizituar Kosovën, gjatë këtij viti.

Ndërsa për Chollet është hera e parë që si zyrtar i DASH’it vjen në Prishtinë. Ardhja e tij në Kosovë vjen pak muaj pasi ai kishte shprehur zhgënjimin e tij me Qeverinë e Kosovës lidhur me çështjen e targave.

Këshilltari Chollet, para ardhjes së tij në Prishtinë ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore, të caktuara të mbahen me 18 dhjetor.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Chollet tha se Shtetet e Bashkuara mendojnë se “nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit”.

“Është kohë e tensionuar dhe duam të sigurohemi se ka kushte për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta. Kosova është demokraci shumetnike, sikurse Shtetet e Bashkuara”.

Chollet tha se po zhvillohen bisedime të vazhdueshme me udhëheqësit në Prishtinë dhe ambasadori amerikan Jeff Hovenier është shumë i përfshirë.

“Unë do të jem atje javën e ardhshme dhe kjo do të jetë ndër temat kryesore në bisedimet me presidenten dhe kryeministrit derisa presim të punojmë për një rrugë të përbashkët përpara”, tha Chollet.

Pas qëndrimit në Kosovë, Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do të udhëtojë me një delegacion ndërinstitucional edhe në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Kroaci dhe Belgjikë.

Në një njoftim të Departamentit amerikan thuhet se kjo vizitë nënvizon përkushtimin e qëndrueshëm të Shteteve të Bashkuara për paqen, qëndrueshmërinë dhe përparimin e rajonit.

“Më 12 dhe 13 dhjetor, këshilltari Chollet do të qëndrojë në Prishtinë ku do të takohet me zyrtarë qeveritarë dhe udhëheqës të tjerë politikë për të diskutuar siç thuhet, bashkëpunimin e vazhdueshëm për një sërë çështjesh, duke përfshirë përpjekjet amerikane për të çuar përpara integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike, përfshirë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka në qendër njohjen e ndërsjellë”, thuhet në njoftimin e DASh’it.