Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), që është mediumi i vetëm publik i vendit. Ai foli “hapur” rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe e marrëveshjes së Ohrit, me të cilën ai dhe Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, u dakorduan, ndonëse nuk e nënshkruan për shkak të hezitimit kreut të shtetit serb.
Sonte ka qenë hera e parë që Kurti e pranoi në mënyrë eksplicite që Asociacioni parashihet në marrëveshjen evropiane – marrëveshje të cilën ai e ka pranuar.
“A ka Asociacion në planin evropian?” – e pyeti gazetarja – kryeministrin. “Ka Asociacion, neni 10 thotë që të dy palët e konfirmojnë obligimin e tyre për të zbatuar marrëveshjet e kaluara, të cilat ngelen valide dhe të obligueshme. Pra 39 marrëveshje janë, prej 2 korrikut të vitit 2011 deri më 25 gusht të 2015, për diç më shumë se 4 vite, janë 39 marrëveshje”, deklaroi Kurti.
Por para se të shpjegonte qëndrimin e tij të ri, Kurti e lavdëroi veten pak, duke thënë se gjithnjë ka qenë kreativ e lexues i mirë i dokumenteve.
“Unë kam qenë gjithmonë konstruktiv, mund të mos jetë vërejtur me kohë kjo gjë. Por, unë i lexoj mirë tekstet dhe kur shoh se ka nocione, koncepte universale si sikurse ta zëmë ky i propozimit evropian, ku brenda është pavarësia, vetëvendosja, sovraniteti, integriteti territorial, palët kontraktuese, barazia e palëve, atëherë natyrisht se jam konsturktiv. Unë mbroj interesat e Kosovës”, vlerësoi Kurti.
Ajo që ra në sy ishte gjuha të cilën Kurti e përdori për të arsyetuar qëndrimin e tij. Ai zgjodhi disa togfjalësh interesant për të shpejguar vetëmenaxhimin dhe Asociacionin, duke shpjeguar “tri shtyllat” mbi të cilat duhet të bazohet statuti i “Asociacionit dhe vetëmenaxhimit”.
“Pra edhe një herë, duhet ta bëjmë dallimin midis le të themi strukturave dhe shërbimeve. Në letrën e tyre që e kanë bërë publike si qëndrim zyrtar të Qeverisë së ShBA-së, të datës 30 janar të këtij vitit, zyrtarët e lartë, Dereck Chollet dhe Gabriel Escobar, e vënë në spikamë jo struktura, por shërbime të cilat ofrohen nga komunat, sepse në fokus është qytetari. Në këtë kuptim, unë besoj që edhe kjo niveli i përshtatshëm i vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë, do të mund të zgjedhet për të mirën e të gjithë serbëve, pa rrezikuar rendin kushtetues e juridik të Kosovës, duke i shërbyer demokracisë, por edhe natyrisht duke i pranuar edhe ofertat që i bëj unë” – deklaroi Kurti.
Në intervistën e tij në RTK, Kurti tregoi edhe ca detaje nga takimi i Ohrit, duke rrëfyer ofertën që ia dha Serbisë, e të cilën e refuzoi kjo e fundit.
“Unë kam bërë oferta vazhdimisht, e fundit ishte në pasditen e hershme të 18 marsit, dhe në momentin kur unë bëra ofertë, pala tjetër kërcënoi në një far mënyre me përfundim të takimit. Qartazi kam thënë për statutin se si duhet të rregullohet kjo çështje, unë kam kërkuar prej palës tjetër serbe, që të jenë dakord me tri shtylla, brenda të cilës unë do ta draftoja atë statut se si rregullohet kjo gjë” – deklaroi Kurti.
Shefi i ekzekutivit Kosovar tregoi edhe se çka u tha pjesëmarrësve në takimin e Ohrit.
“Me datën 18 mars kam thënë “nëse ju jeni dakord me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të cilat i ngërthejnë vlerat evropiane, demokratike, universale, në njërën anë, me qëndrimin evropian, edhe kam shkuar më hollësisht kam treguar se cili është ai, dhe me qëndrimin amerikan. Pra tri shtylla: Republika e Kosovës me Kushtetutë dhe vlera, qëndrimi evropian, që është konkret, qëndrimi amerikan, që po ashtu është konkret, në këtë tre-shtylla parimor e të drejta, unë nesër kam thënë që nesër ua sjell juve draftin e statutit, e quajmë qysh të duash”, rrëfeu Kurti.
“Madje u kam thënë që do t’ua sjell një propozim për të cilin ju premtoj se nuk do të keni mundësi ta rafuzoni. Nuk u pranua as idea, pra unë solla premisën që duhet të pranohet, që unë e shkruaj atë, bazuar në këto tri shtylla dhe mund ta sjelli nesër në mëngjes, se të gjithë ne ishim në hotel në Ohër dhe të gjithë ne e kishim tashmë të dakorduar edhe qëndrimin e saj nate të 18 marsit. Në mëngjesin e 19 marsit, kanë mundur ta kenë draftin e propozuar nga ana ime në këto tri shtylla. Thanë jo, çka t’iu bëj unë tash?”, deklaroi Kurti.