Votimi i Kodit Civil është një ngjarje fort e veçantë për Kosovën dhe për Kuvendin. Në Kodin që sot Ministria e Drejtësisë prezentoi para jush, ka disa risi që janë shumë të rëndësishme dhe të cilat duhet përmendur.
Kodi i ka gjithsej, 5 libra, ose 5 pjesë, 997 faqe me 1630 nene, dhe në të gjitha këto ka të reja substanciale.
Por t’i marrim radhazi:
Risitë te Libri 1
Pjesa e Përgjithshme asnjëherë nuk ka ekzistuar në sistemin tonë juridik. Në këtë pjesë janë përfshirë parimet e përgjithshme të së drejtës civile: si barabarësia e palëve, përkufizimi i mirëbesimit dhe keqbesimit, ndalimi i shkaktimit të dëmit, analogjia dhe interpretimi i ligjit.
Mandej, është Caktimi i Burimeve të së Drejtës Civile – të cilat janë caktuar për herë të parë. Kështu, burim i së drejtës civile është kushtetuta, marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare të ratifikuara, praktika e Gjykatës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të Njeriut. Në mungesë të ligjit, zakoni është burim i së drejtës civile vetëm kur ka zbrazëtira juridike dhe nuk është në kundërshtim me rendin juridik.
Tjetër, është rregulluar pjesa statusore e personave fizikë. Për herë të parë është bërë kjo gjë dhe ka pasur vetëm disa dispozita të paharmonizuara, në të kaluarën por tani është mirë e rregulluar çështja e aftësisë së veprimit, heqja e aftësisë së veprimit, e të tjera.
Është rregulluar pjesa statusore për personat juridik. Këtu janë përkufizuar personat fizik në publik dhe privat, çështjet e themelimit dhe të shuarjes.
Janë rregulluar punët juridike (kontratat, testamenti, premtimi publik) llojet e punëve juridike dhe pavlefshmëria e tyre.
Janë përcaktuar afatet në raporte juridike civile.
Ndërkaq, në Librin 2 Detyrimet, risitë janë përkufizimi shumë më i mirë i kontratave, dhe është bërë dallimi mes dëmit material dhe jo-material. Me këtë të fundit kemi pasur shumë probleme nëpër raste gjyqësore. Probleme të cilat besojmë që do të evitohen me librin e detyrimeve me këtë Kod Civil.
Është bërë përkufizimi pra më i mirë i kontratave. Në ligjin aktual ka munguar përkufizimi i kontratave dhe harmonizimi i këtyre dispozitave. Në përgjithësi janë harmonizuar dispozitat e kontratave.
Pastaj, është bërë ky dallimi i Dëmit Material dhe Jo-material. Janë ri dizajnuar dhe rregulluar rregullat për dëmin duke bërë ndarjen e plotë ndërmjet dëmit material dhe jo material. Po ashtu, në nenin 208 kemi paraparë për herë të parë dëmin e padrejtë duke precizuar që secili person ka të drejtë të kërkojë shpërblim të dëmit nga vendimet joligjore që lëshohen nga autoritetet publike. Me këtë është plotësuar një standard ndërkombëtar i cili në vazhdimësi u është kërkuar institucioneve të Kosovës.
Janë definuar afatet e parashkrimit në marrëdhëniet e detyrimeve. Ka pasur paqartësi në të kaluarën lidhur me këtë, lidhur me afatet e parashkrimeve (humbjes së të drejtave dhe kërkesave periodike), ashtu që parashkrimi i kërkesave që parashkruhen për 1 vit, janë definuar tash mirë.
Libri 3 – Pronësia dhe të drejtat tjera gjësendore
Në librin e pronësisë janë përcaktuar për herë të parë titujt juridik të fitimit të pronësisë dhe janë paraparë paditë për mbrojtjen e pronësisë – si psh. padia për kthimin e gjësendit dhe për mospërsëritjen e cenimit të pronësisë.
Janë harmonizuar dispozitat lidhur me përkufizimin e pronësisë në gjësendet e luajtshme dhe të paluajtshme, sidomos me parashkrim fitues me mirëbesim.
Pastaj, janë sqaruar dispozitat lidhur me të drejtat fqinjësore, ashtu që janë evituar kundërthëniet që kanë ekzistuar në ligj. Me këto dispozita janë rregulluar kërkesat reciproke mes pronarëve dhe paditë për kompensimin e dëmit. Këtu janë mirë rregulluar edhe ndërtimet përtej vijës së kufirit (apo megjës siç thuhet në gjuhën popullore).
Janë përcaktuar për herë të parë titujt juridik të fitimit të pronësisë – si fitimi i pronësisë me kontratë, testament, parashkrim fitues, vendim të organit administrativ, vendim të gjykatës dhe sipas kushteve të tjera të parapara me ligj. Kjo çështje ka qenë e parregulluar mirë në të kaluarën.
Paditë pastaj për mbrojtjen e pronësisë – Janë harmonizuar dispozitat që kanë të bëjnë me paditë për mbrojtjen e pronësisë. Të tilla janë padia për kthimin e gjësendit dhe padia për mospërsëritjen e cenimit të pronësisë. Me këto dispozita do të rregullohen shumë aspekte dhe qytetarët e komuniteti i biznesit do të munden më lehtë dhe në procedurë më të shpejtë t’i realizojnë të drejtat e tyre pronësore.
Janë rregulluar dispozitat për servitutet. Pastaj është sqaruar më mirë e drejta e ndërtimit si e drejtë sendore e paraparë për 99 vite.
Ndërkaq, në Librin 4 – Familja, risitë janë që në librin e familjes janë rregulluar raportet e bashkëshortëve duke e bërë të barasvlefshme pasurinë e përbashkët të bashkëshortëve, dhe duke hequr procedurën e pajtimit të bashkëshortëve në rastet e dhunës në familje. Këtu duhet të theksojmë dy kryesore:
Është pasuria e përbashkët e bashkëshortëve, është caktuar që të jetë e barabartë dhe e barasvlefshme. Kështu, pasuria e bashkëshortëve do të jetë (50% me 50%) pa lënë hapësirë të interpretimit dhe zbatimit ndryshe nga gjykatat. Ky është një hap i madh dhe do të rrisë barazinë e bashkëshortëve në martesë e në veçanti të drejtat e grave në martesë dhe pronë.
Po ashtu, edhe kontributi (i bashkëshortëve) do të konsiderohet nga ligji si i barabartë në plotni pavarësisht nëse njëri bashkëshort është kujdesur për familjen dhe fëmijët apo ka qenë i angazhuar në jetën profesionale jashtë familjes. Kjo ndikon direkt në barazinë e bashkëshortëve dhe barazinë pasurore të tyre. Gjithashtu, këtu risi është edhe ndalimi i martesave të hershme. Me Draft Kodin Civil më askush nuk do të mundet që të lidhë martesë pa i bërë 18 vjet. Ky rregullim është në pajtueshmëri të plotë edhe me standardet ndërkombëtare. Sa për ilustrim, këtë vendim së fundmi e ka marrë edhe Gjermania e cila e ka ndryshuar Kodin Civil dhe e ka rritur moshën e martesës në 18 vjeç.
Ka edhe shumë risi të tjera në këtë Kod të cilat në një formë ose në një tjetër do ta lehtësojnë procedurën civile në vendin tonë. Është një pikë me rëndësi për të cilën ka pasur keqkuptime e keqinterpretime. E kjo është regjistrimi i bashkësive civile të personave me seks të njëjtë.
Në fund të fundit, të drejtat e njeriut janë të drejta të të gjithë njerëzve, të secilit njeri, të çdo personi, sepse gjithsecili është krijesë e Zotit a natyrës. Këtë e thotë edhe Kushtetuta jonë dhe praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Te regjistrimi i bashkësive civile të personave me sekse të njëjta. Në nenin 1138 është paraparë mundësia që këta persona të mund të regjistrohen si bashkësi civile.
Kodi nuk i ka rregulluar kushtet dhe procedurën për këtë institut të ri por vetëm në mënyrë afirmative ka përcaktuar që në të ardhmen do të rregullohet me ligj të veçantë. Pra, kodi nuk është i mjaftueshëm. Kjo është në pajtueshmëri të plotë edhe me kushtetutën e cila nuk lejon asnjë lloj diskriminimi duke përfshirë edhe diskriminimin në bazë të gjinisë.
Po ashtu, duhet të theksoj se Kodi nuk rregullon martesat ndërmjet personave me seks të njëjtë. Kjo dallon me bashkësinë e regjistruar civile ngase kjo e fundit mundëson vetëm bashkëjetesën dhe jo format tjera të funksionit familjar. Më pastaj e kemi edhe te libri tre pronësia dhe të drejtat e tjera gjësendore me ç’rast janë harmonizuar dispozitat lidhur me përkufizimin e pronësisë në gjësende të luajtshme dhe të paluajtshme.
Pastaj janë sqaruar dispozitat lidhur me të drejtat fqinjësore.
Pastaj, janë rregulluar edhe dispozitat për servitutet se këtë harrova ta përmend. Në këtë pjesë janë harmonizuar dispozitat e servituteve personale të cilat kanë qenë të shpërndara dhe një përzierje e konceptit të Uzufruktit dhe përdorimit të gjësendit të huaj.
Pastaj, kemi edhe të drejtat e fëmijëve – të cilat janë avancuar duke përcaktuar që organi kompetent (gjykata) të vendos çdoherë në më të mirën e tyre. Po ashtu, janë sqaruar dispozitat që kanë të bëjnë me trajtimin e fëmijëve të braktisur apo pa përkujdesje prindërore e po ashtu, edhe e drejta për t’u dëgjuar në moshën 6 vjeçare.
Është paraparë edhe forma e përkujdesjes pas mbushjes së moshës madhore të personave që nuk kanë mjete. Janë harmonizuar dispozitat lidhur me heqjen e të drejtës prindërore. E po ashtu janë harmonizuar edhe dispozitat lidhur me adoptimin.
Është rregulluar strehimi rezidencial. Me këtë institut është mundësuar përkujdesja e fëmijëve pa përkujdesje prindërore që të vendosen në qendrën përkatëse të specializuar për strehim rezidencial.
Ndërkaq, në librin 5 -Trashëgimia, janë siguruar të drejtat e barabarta të personave në trashëgimi dhe është vendosur që e drejta e trashëgimisë nuk parashkruhet.
Janë siguruar pra të drejtat e barabarta, me ç’rast garantohet një trashëgimi e sigurt për të gjithë, përfshirë edhe gratë pa diskriminim dhe duke paraparë procedura transparente para noterëve dhe gjykatave. Me këto dispozita, parashihet njoftimi i palëve me seanca të veçanta për të gjitha të drejtat që rrjedhin nga trashëgimia.
E drejta e trashëgimisë nuk parashkruhet. Me kod parashihet që padia për të kërkuar trashëgiminë nuk do të parashkruhet.
Është rregulluar për herë të parë instituti i të drejtës së banimit të bashkëshortit pasjetues. Bashkëshortit të trashëgimlënësit i sigurohet e drejta e banimit dhe nuk mund të largohet nga banesa ose shtëpia, pa u siguruar banimi për të.
Andaj të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, ju ftoj që sot ta votoni këtë Kod Civil. Ta votoni që t’u ipni zgjidhje problemeve të cilat i kemi diskutuar sa e sa herë në këtë Parlament dhe jashtë tij. Para votimit në lexim të dytë, sigurisht që mund të bëni amandamente.