Janë mbyllur punimet e seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ku me 74 vota për dhe 10 abstenime deputetët votuan pro formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga Qeveria Kurti. Gjatë kësaj seance pati po ashtu shumë diskutime e përplasje të ashpra, pas deklaratës së kryeparlamentares Vjosa Osmani, se ka pranuar një letër nga stafi civil i Ministrisë së Shëndetësisë, ku thuhet MSH-ja nga 2016-ta ka pranuar donacione nga Serbia në miliona euro vlerë, si barna, pajisje medicinale etj.
Përplasje pati mes kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit dhe deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismailit dhe Uran Ismailit.
Reagimi i kryeparlamentares erdhi pasi deputetja e PDK-së, Besa Ismaili, i tha se nuk është mirë që po qesh.
Përplasje mes Vjosa Osmanit dhe Besa Ismailit: Kryetare është mirë të shohim në krye të detyrës, deputete harroje që në këtë Kuvend grave ka me ju tregu kur me fol e kur me qesh
“Ishte kënaqësi që sefte ju pash në krye të detyrës kur ju bëtë reagimin për pirjen e duhanit. Ju pat hije kjo gjë. Do të doja që në krye të detyrës t’iu shihja më shpesh sepse shpesh herë po ju shohim të njëanshme. Kur ka sjellje jo parlamentare nga kolegët tanë nuk do të doja t’iu shihja duke qeshur”, tha Ismaili.
E kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se kritikat e Ismailit i merr si komplimente, mirëpo nuk do të lejojë që grave në Kuvend tu tregohet kur me fol e kur me qesh.
Osmani sot gjatë seancës bëri të ditur para deputetëve të Kosovës se është njoftuar përmes një letre nga stafi civil i Ministrisë së Shëndetësisë se nga viti 2016 MSH-ja nga shteti i Serbisë ka pranuar si donacion në vlerë dhjetëra miliona euro, barna, pajisje mjekësore dhe material medicinal.
Kryetarja e Kuvendi bëri të ditur se letrën nga stafi civil i MSH-së e ka pranuar në cilësinë e kryetares së Kuvendit.
Pas kësaj deklarate të Osmanit, deputeti i Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili gjatë seancës së sotme iu drejtua kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit, duke i thënë se referimi i të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, në lidhje me donacionet e ardhura vazhdimisht nga Serbia është duke e bërë atë të dyshoj se Osmani është e lajthitur ose po e promovon shkeljen e ligjit.
Ish-ministri i Shëndetësisë tha se Osmani do të duhej të verifikonte të vërtetën e atyre donacioneve para se të përdorte ato të dhëna.
“Kryetare, iu referove diçkaje që po më shtin me dyshu nëse je e lajthitur, ose je duke e promovu shkeljen e ligjit, me sa di je juriste. Nëse po mendon se faktet që i ke, nga stafi civil i cili të ka ardh janë për ty të mjaftueshme për mos me verifikuar të vërtetën por me proklamuar atë në ngritje të një argumenti politik, konsideroj se je në shteg të gabuar”, tha Ismaili.
Osmani, ka reaguar ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismajli i cili e quajti “të lajthitur”.
Osmani sqaroi dhe njëherë që letra i ka shkuar në cilësinë e kryetares së Kuvendit, si dhe në atë letër shkruan dhe për çështje të tjera që janë me rëndësi.
Ndryshe, seanca filloi me njoftimin e Osmanit për Grupin Parlamentar 6+, i cili më nuk ekziston më si grup, shkaku i dorëheqjes nga ky grup i deputetes Zikreta Aliti. Ajo ka bërë të ditur se përfaqësimi në komisionet parlamentare është 6 nga pozita dhe 5 nga opozita.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi në seancën e sotme të Kuvendit, ka thënë se kjo është dita e parë në të cilën po vendosen standardet e reja të punës.
Duke iu drejtuar Grupit Parlamentar të LVV-së, Gashi tha se standardet e reja të punës nuk do të jenë zhurmat e juve.
Por kësaj deklarate iu kundërvu deputetja Mimoza Kusari-Lila. Ajo tha se ky standardi i ri nuk ka filluar sot por më 25 mars, ku Kosova ishte në të gjitha mediat botërore për turpin e rrëzimit të qeverisë në kohën e pandemisë.
Kusari-Lila i reagon Gashit: Standardi i ri është që në ditën që i varrosem dy minatorë, në Prishtinë u gjuajtën fishekzjarre
Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së tha deputeti Haxhi Shala tregoi qartë që presidenti Hashim Thaçi ka bredhur odë më odë për t’ia bërë votat Qeverisë Hoti.
Ndryshe, deputetët votuan për formimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19, në këtë përbërje: Mimoza Kusari-Lila kryesuese e komisionit, anëtarë nga LVV-ja Labinotë Demi-Murtezi dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, nga LDK-ja anëtarë do të jenë Ekrem Hyseni, Ilir Ferati dhe Veton Berisha, nga PDK-ja, Eliza Hoxha, që do të jetë edhe zëvendëskryesuese e Komisionit si dhe Bekim Haxhiu anëtar, nga AAK-ja anëtar do të jetë Shkumbin Demalijaj, nga Lista Serbe Millosh Peroviq dhe nga Nisma, Endrit Shala.
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje i ka propozuar edhe disa zëvendësime në disa komisione.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës në fund të seancës votuan me 73 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim edhe kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale (Trusti) për taksën vjetore për vitin 2020. /Telegrafi/