Një vrasje e dyfishtë që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:00, ka tronditur Prizrenin.
Viktima e këtij rasti siç është konfirmuar nga Policia e Prokuroria, janë babai polic dhe e bija e tij, shkruan lajmi.net.
Zyrtari policor dyshohet se fillimisht ka vrarë vajzën e më pas veten. Siç dyshohet, aktin ai e ka kryer me armën zyrtare të Policisë.
“Me 15.12.2020, pak pas orës 19:00, Policia ka pranuar një informacion se në rrugën “Durmish Asllani” në Prizren, janë dëgjuar të shtëna nga arma e zjarrit. Njësitet kompetente policore, menjëherë i janë përgjigjur vendit të ngjarjes dhe bazuar në informacionet e para, në një shtëpi banimi janë gjetur dy trupa të pa jetë, një M/Kosovar zyrtar policor dhe një F/Kosovare, vdekjen e të cilëve e kanë konfirmuar mjekët kompetent. Në vendin e ngjarjes janë dalur të gjitha njësitet policore përfshirë forenzikën, ekipet mjekësore dhe prokurorin, të cilët janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes si dhe duke kryer hetime intensive, lidhur me rastin”, kanë thënë për lajmi.net nga Policia e Kosovës.
Inicialet e policit mësohet të jenë S.M rreth 50 vjeç, ndërkaq bija e tij raportohet se është rreth të 20-tave.
Në anën tjetër, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka treguar gjithashtu se viktimat janë babë e bijë dhe se njëri nga viktimat dyshohet të jetë zyrtar policor.
“Ka ndodhur një rast tragjik, ku ne një shtëpi janë gjetur 2 viktima, qe dyshohet se janë vrare nga arma e zjarrit. Viktimat janë familjare, babë e bije. Njeri nga viktimat dyshohet se është zyrtar policor. Prokurori se bashku me Policinë dhe njësite tjera relevante kane dalur ne vendin e ngjarjes. Nuk dihen akoma rrethanat se si ka ndodhur rasti”, thuhet në konfirmimin e Prokurorisë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes.
Ende nuk janë sqaruar ndërkaq rrethanat në tërësi të rastit, teksa lajmi.net do iu mbajë të informuar në lidhje me të rejat e fundit.