Të mërkurën rreth orës 20:20, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri, një grua ka mbetur e vdekur.
Viktima e këtij rasti është gruaja e Naim Murselit, ish-këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit.
Ndërsa gazeta Sinjali raporton se rasti dyshohet të ketë ndodhur gjatë kohës kur Murseli bashkë me gruan dhe fëmijët ndodheshin në veturë, kur papritmas ua kanë zënë pritën me veturë disa grabitës.
“Bazuar në deklaratën e Murselit që e ka dhënë para hetuesve policorë, i njëjti ka deklaruar se hajnat fillimisht iu kanë kërkuar gjërat me vlerë, duke marrë paratë dhe telefonat. Kjo situatë e tmerrshme dyshohet se e detyroi Murselin që t’i largojë fëmijët nga vetura, por aty mbeti bashkëshortja e tij, e cila fatkeqësisht u vra me armë zjarri”, shkruan kjo gazetë.
Sipas këtij mediumi, personat e dyshuar kanë qenë me një veturë të tipit BMW me targa të huaja të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.
Rastin për Klan Kosova e ka konfirmuar edhe zyrtarja e Policisë për Informim, Flora Ahmeti.
“Policia si dhe mjekët emergjentë, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë në një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës (femër) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri. Policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”, ka thënë Flora Ahmeti.
Deri në momentin e publikimit të këtij teksti, të dyshuarit ndodhen në arrati dhe ende nuk janë identifikuar nga Policia.