Krasniqi: Zero raste sot, koronavirusi po shkon, vera po vjen. Urime Kosovë!

Infektologu Valbon Krasniqi ka uruar qytetarët pasi sot në Kosovë, nuk u shënua asnjë rast i ri me koronavirus.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), 138 mostrat e ditës së sotme kanë rezultuar negative.

“ZERO raste sot. COVID-i po shkon, Vera po vjen. Urime Kosovë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Deri tash në Kosovë janë konfirmuar 1032 persona me koronavirus, 785 prej tyre janë shëruar kurse 29 kanë vdekur.

Ndërkaq IKSHP ka njoftuar se sot janë shëruar 4 persona dhe deri më sot numri i përgjithshëm i të shëruarve është 789 raste.

Që nga 13 marsi ku u konfirmuan dy rastet e para me Covid-19, sot është dita e parë që asnjë person nuk është konfirmuar me koronavirus.