Krasniqi viziton familjet Gucati e Haradinaj: Krenarinë kombëtare e gjetëm të palëkundur

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, bashkë me disa anëtarë të PDK-së, dukë përfshirë Uran Ismailin, Abelard Tahirin e Fadil Nurën, ka vizituar sot familjet e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, pasi këta të fundit u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale.

“Duke bashkëndjerë me familjarët e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, së bashku me kolegë të Partisë Demokratike të Kosovës, vizituam sot familjet Haradinaj dhe Gucati, për t’u solidarizuar në këtë ditë aspak të lehtë për ta e për ne”, ka shkruar Krasniqi në një postim në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

Krasniqi tha se të palëkundur te këto dy familje e gjetën qëndrueshmërinë dhe krenarinë kombëtare.

“E mundimshme dhe me plot pengesa ka qenë rruga jonë për liri, por populli ynë nuk i është shmangur kurrë asaj rruge, deri në çlirimin e plotë. Këtë traditë e kanë kultivuar ndër breza edhe familjet Gucati e Haradinaj, me të cilët sot jemi të gjithë me mendje e zemër. Qëndrueshmërinë dhe krenarinë kombëtare te këto familje e gjetëm të palëkundur edhe sot”, përfundoi kreu i PDK-së, duke bashkëngjitur disa fotografi nga vizita.