Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar sot dy familje në Kamenicë, familjarët e të cilëve kanë emigruar për shkak të kushteve ekonomike.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka treguar për bisedat që ka pasur me ta lidhur me arsyet e largimit.
“Sot, vizitova familjen e Hajrullah Dërmakut në Shipashnicë të Epërme të Kamenicës, djali i të cilit, Jetoni, ish ushtar i UÇK-së e më vonë edhe pjesëtar i FSK-së, për të shkolluar dhe mbajtur familjen e tij, në vitin 2021, është detyruar të emigrojë në ShBA. Së bashku me bacën Hajrullah, përmes telefonit, biseduam edhe me Jetonin, i cili më shprehu zhgënjimin e madh për faktin se është detyruar ta lë punën dhe Kosovën”, ka shkruar Krasniqi.
“Ndërkaq, në Hodonoc vizitova famljen e Naim Bashës, të cilit, pas emigrimit të njërit djalë, edhe tjetri është në procedurë të pajisjes me vizë për t’u larguar nga Kosova. I shqetësuar me këtë ikje masive, Naimi më tregoi se familjeve të lagjes së tij, nuk u ka mbetur asnjë i ri në shtëpi”, ka vazhduar ai.
Krasniqi ka thënë se përjetime të tilla, të ngjashme e shumë të dhembshme, kanë përjetuar edhe dhjetëra mijëra familje tjera të Kosovës në dy vitet e fundit – familjarët e të cilëve kanë emigruar.
“Kosova po zbrazet, ndërsa Qeveria po heshtë! Fatkeqësisht, gjatë këtyre dy viteve, nuk kemi parë asnjë plan konkret të Qeverisë për përmirësimin e ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë, si tre faktorë kryesorë për largimin e qytetarëve tanë”, ka shkruar Kryetari i PDK-së.
Krasniqi ka thënë se vetëm një gjë ka qenë konsistente gjatë kësaj qeverisjeje: Çmimet kanë shkuar duke u rritur e cilësia e jetesës së qytetarëve dhe shpresa e tyre, duke u zvogëluar.
“Prandaj, sot, nuk është koha më për fjalime të mira, por, për punë të mira e konkrete në rikthimin e besimit tek të rinjtë dhe qytetarët në shtetin tonë. Kosova duhet dhe mund të jetë një vend ku rinia ka mundësi të përmbushë potencialin e saj dhe të krijojë një të ardhme prosperuese”, ka përfunduar ai.