Krasniqi thotë se Kosova ka nevojë për më shumë inspektorë që të luftohet informaliteti

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, gjatë inspektimit në pikën kufitare në Jarinjë, ka thënë se vendit i duhet të rrisë numrin e inspektorëve që të kryejë inspektime në tërë territorin e Kosovës në çdo kohë.

Krasniqi është shprehur se Qeveria e Kosovës është e vendosur “që të inspektojë çdo pëllëmbë të Republikës së Kosovës dhe ta luftojë informalitetin dhe krimin e organizuar”.

“Unë në agjendën time i kam caktuar disa pika të mijat, këto janë luftimi i informalitetit, mbrojtja e konsumatorëve, prodhueseve vendorë dhe një mori çështjesh tjera. Në këtë rast jam përkushtuar që edhe vetë bashkë me ekipet e ndryshme të inspektorateve që të jem pjesë e inspektimeve që nga afër dhe ta shoh se a po luftohet në të vërtetë informaliteti dhe krimi i organizuar. Ajo që kemi parë deri tash është që vërtetë ka nevojë të rritet numri i inspektorëve sepse ka një numër jashtëzakonisht të vogël dhe është e pamundur që me një numër kaq të vogël të bëhet inspektimi në tërë territorin e Kosovës në çdo kohë”, ka thënë ai duke shtuar se beson që në të ardhmen do të rritet numri.

Ditë më parë, në zonën kufitare me Serbinë, në Karaçevë të Kamenicës u arrestuan 35 persona, me veprën “kontrabandim i mallrave” që dyshohet të kenë kryer disa prej tyre. Ata dyshohet se nga Serbia në mënyrë ilegale kanë futur mallra në Kosovë, përfshirë edhe gjedhe të sëmura. Në mesin e të arrestuarve ishin 12 policë.