Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që urgjentisht të veproj dhe të ndihmojnë gastronomët e Kosovës në këtë kohë pandemie.
Ai tha në seancën e sotme plenare se gastronomia është njëri ndër sektorët më vital të vendit ku punësohen me mijëra punëtorë.
Krasniqi kërkoi nga Qeveria që menjëherë sektorit të gastronimisë t’ua japë nga 170 eurot e premtuara, t’ua mbulojnë qiratë e lokaleve për 50 për qind dhe t’ua shtyjë pagesat e kredive.
“Pa hy me vlerësuar se a ka qenë e drejtë apo sa ka qenë e drejtë çështja e ndalesës nga ora 21:00 e tutje unë kam parë që edhe gastronomët e kanë shprehur mirëkuptimin e tyre për këtë çështje, por në momentin që ne si shtet, në këtë rast Qeveria e cenon një të drejtë të dikujt, atëherë duhet me pasë edhe një masë të lehtësimit apo të kompensimit të asaj çështje, do të thotë ne sot i kemi sjellë para falimentimit të gjithë gastronomët e Kosovës. Edhe një muaj unë nuk besoj që shumica e tyre munden të mbijetojnë. Në anën tjetër, Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap për t’i ndihmuar ata”, tha Krasnqi.
Ai tha se derisa Qeveria u ka kufizuar orarin e punës, minimum i korrektësisë do të ishte që të gjejnë forma të ndihmesës së gastronomëve pasi siç tha Krasniqi, gastronomia është ndër sektorët më vital të vendit.
“Është në rregull nëse ju i limitoni në veprimtari por do të ishte minimumi i korrektësisë për të ruajtur një nga sektorët më vital në të gjithë Kosovën. Sepse janë me mijëra e me mijëra kompani të vogla që funksionojnë në këtë fushë që së paku të ja paguajnë 170 euro për punëtorët e tyre dhe së paku 50% të qirasë. Dhe normalisht t’i ndihmoni në shtyrjen e pagesës së kredive sepse të gjithë apo shumica janë në kredi. Ju e keni parë që të hënën do të ketë edhe protesta prej tyre. Unë besoj që kjo protestë vjen normal si pasojë e mungesës së kujdesit që e keni ndaj tyre. I ftoj Kryeministrin dhe Ministren e Financave që së paku këto që i propozova t’i merrni parasysh dhe t’i ndihmoni sa më shpejt që të jetë e mundur sepse ndryshe, janë të rrezikuar jashtëzakonisht shumë”, tha Krasniqi.