Krasniqi: Specialja është parë si mjet për t’i larguar nga pushteti njerëzit e luftës

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë në DESKU të KTV-së se beson që ka persona që kanë marrë premtime se do të kursehen nga aktakuza në Speciale, në shkëmbim të votimit të saj.

“Unë mendoj që po, për faktin se ka qenë një presion i zyrtarëve të lartë mbi deputetët që të votohet, do të thotë, ky presion nuk është bërë lehtë”, ka thënë ai.

Si ka thënë ai, presionin më të madh për të votuar e ka bërë Hashim Thaçi, si kryeministër e pastaj edhe si president.

“Dhe unë mendoj që ky ka qenë gabimi kryesor që është bërë, edhe pse, të them të drejtën, unë mendoj edhe sot që Gjykata Speciale është formuar para pesë viteve dhe po të kishte, si është thënë, material, po të kishte dëshmi, gjë të cilën e ka thënë edhe Williamson, deri më sot do të duhej të ngrehej ndonjë aktakuzë dhe dikush të dënohej”, ka thënë ai.

Sipas Krasniqit, vetë shtyrja e kësaj gjykate tash e pesë vjet, janë dëshmi se as raporti i Dick Martyt nuk ka pasur dëshmi, as Gjykata që është formuar më vonë mbi bazën e raportit të Willamsonit nuk ka dëshmi.

“Dhe, natyrisht se e keqja më e madhe po i bëhet vendit. Mundet ndonjë pjesëtar i UÇK-së, ndonjë njeri që është sot në politikë, të eliminohet nga skena politike ndonjë kohë. Por, konsideroj që nuk ka dëshmi për krime të luftës”, ka thënë ai.