Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me sekretarin e PDK-së, Bajrush Xhemajli; anëtaren e kryesisë, Besa Kabashi Ramaj dhe me shefin e GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ka pritur sot në selinë e PDK-së, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Krasniqi shprehu vullnetin e tij të përhershëm dhe të PDK-së, për të kultivuar raporte të afërta e miqësore me të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë, si dhe uroi Edi Ramën për marrjen e mandatit të tretë si kryeministër i Qeverisë së Shqipërisë.
“Duke shprehur falënderimin për urimet e z. Rama me rastin e zgjedhjes time në krye të PDK-së, shpreha vullnetin tim dhe të përhershëm të PDK-së, për të kultivuar raporte të afërta e miqësore me të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë”, tha Krasniqi.
PDK e vlerëson jashtëzakonisht të rëndësishëm thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, andaj Krasniqi e Rama u pajtuam për nevojën e forcimit të mëtejmë të lidhjes dhe koordinimit mes dy vendeve.
“Për këtë qëllim, konsideroj se mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, si format i iniciuar nga periudha e qeverisjes së PDK-së, duhet të vazhdojë e të zgjerojë temat e rëndësisë së përbashkët.”, tha Krasniqi.
Gjatë takimit u diskutua për situatën e brendshme politike, menaxhimin e pandemisë, si dhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit.
“Vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me targat, e konsiderojmë të drejtë dhe legjitim. Por, shpreha shqetësim për tendencën nga ana e Serbisë për të përshkallëzuar situatën, me ç’rast kërkova që Shqipëria të luajë rol ndihmës, si vend anëtar i NATO-s”, theksoi Krasniqi.
Kryetari Memli Krasniqi falënderoi Edi Ramën për ftesën për vizitë zyrtare në Tiranë dhe premtoi që këtë vizitë do ta realizojë në momentin e parë të mundshëm.