Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka folur për vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa sipas të cilit janë anuluar zgjedhjet në Han të Elezit.
Krasniqi në Pressing të T7 tha se ky vendim i PZAP ka qenë një befasi e pakëndshme. Ai shton se ankesa që është bërë nga kandidati Refki Suma është komplet joserioze.
“Befasi e pakëndshme, e papritur. Qytetarët në Han te Elezit kanë votuar për ndryshim. Aty jetojnë njerëz që dëshirojnë me e zhvillu jetën e tyre. Kemi pasë nje listë të jashtëzakonshme dhe një kandidat që e ka fitu besimin qytetar me punë”, ka thënë Krasniqi.
Tutje Krasniqi thotë se edhe më habitëse është periudha në të cilën është marrë vendimi, sipas tij, pa asnjë hetim.
“Pasi e morëm lajmin kërkova nga përfaqësuesit në KQZ ta kuptojmë çfarë ka ndodhur. Unë besoj që do të ishte mirë ta shohim çfarë ankese është, është ankesë komplet joserioze, me gabime drejtëshkrimore e shkruar me dorë ku thuhet se e kanë parë kandidatin duke shkuar në qendra të votimeve pa asnjë dëshmi. Një vendim kaq i shpejtë, pa e shikuar librin e votuesve, pa asnjë ankesë nga ana e komisionerëve, janë 11 vendvotime, janë pak krahasuar me komunat e tjera”, ka thënë tutje Krasniqi.
Ai tha se shpresojnë që Gjykata Supreme do ta trajtojë më seriozisht, pasi u shprehë i habitur me mungesën e hetimit nga ana e vendimarrësve.