Krasniqi për koalicionin me VV-në: Jam zbavitur me këto interpretime imagjinare

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në një konferencë për media të mërkurën u shpreh se janë shteruar mundësitë për shpërndarjen e Kuvendit.

Ai tha se dy partitë tjera opozitare në këtë rast LDK e AAK nuk i dhanë mbështetje propozimit të PDK-së.

Gjatë kësaj konference Krasniqi pati përgjigje dhe për akuzat që u bënë në drejtim të tij, kryesisht nga kolegët opozitar se PDK është instrumentalizuar nga pushteti dhe se është afër koalicionit me LVV-në.

Krasniqi: Thirrja e PDK-së për shpërndarjen e Kuvendit nuk ka gjetur mbështetje

“Sa i përket spekulimeve e interpretimeve, unë kam qenë edhe i zbavitur këto ditë nga mënyra e interpretimeve të jashtëzakonshme imagjinare e imagjinatave të kujdo qoftë sa i përket mundësisë së një koalicioni mes nesh e LVV të arritur për dy orë takim. Nuk munden dy orë takim me tejkalua hendekun e gati dy dekadave. Ai takim është thirr për agjendë legjislative unë kam thënë që në takim shkojmë të flasim vetëm për zgjedhje dhe tash e dy javë vetëm për zgjedhje po flasim”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se çështja e koalicionit me LVV-në si temë nuk është as në horizont.

“Kjo temë as që është në horizont, ne jemi në garë me i fitu zgjedhjet nuk jemi në garë me qenë partia më e madhe opozitare se ashtu jemi aktualisht. Ne duam që Bedri Hamzën ta bëjmë kryeministër”, tha Krasniqi.

I pari i PDK-së shtoi se kritikat e vazhdueshme që i kam dëgjuar në raport me opozitën në përgjithësi, këto kritika kanë qenë që opozita nuk po bënë asgjë për me përfundua mandatin e Kurtit sepse kanë vendosur ta lënë të shkoj deri në fund.

“Sot nuk mund ta arsyetoj mosshfrytëzimin e mundësisë për ta përfunduar këtë mandat më herët, e ajo që është e çuditshme ata që na kanë kritikat më herët për atë që e thash, tash po thonë jo është mirë me lënë Kurtin deri në fund”, tha Krasniqi.

Kujtojmë se mbrëmë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie tha se PDK është instrumentalizuar nga pushteti dhe se LDK nuk pranon farsën e darkave.

“Pas tre vjet e gjysmë popullizëm, e nxitje të propagandës pushteti kishte menduar zgjedhjen e instrumentalizimit të opozitës si shpëtim individual nga dështimi i madh, fatkeqësisht në këtë instrumentalizim ka gjetur një aleat”, tha Abdixhiku, duke shtuar që të bashkuarit të caktojnë datën e zgjedhjeve e “ne te djathtët do ta caktojmë festën”. /Telegrafi/