Infektologu Valbon Krasniqi ka thënë se rënia e numrit të të infektuarve ishte parashikuar qysh në fillim që do të ndodhte në javët e fundit të prillit.
Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se janë shumë faktorë që kanë ndikuar në rënien e numrit të infektuarve, duke thënë se rol të madh kanë edhe qytetarët.
Ai ka thënë se nuk duhet entuziazmuar për shkak se sipas tij, ka shumë raste që virusi është rikthyer përsëri
Ai thotë se faktorë tjetër që ka ndikuar është edhe vetë ecuria e pandemisë.
“Kemi thënë se 70 deri 80 për qind e personave do ta kalojnë pandeminë më lehtë dhe kështu ka dalë. 33 persona kanë qenë deri sot duke u trajtuar në Infektivë. Kemi 7 qe kanë qenë me oksigjeno-terapi, dhe një tjetër është në gjendje kritike”, ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë se këta muaj kanë qenë shumë intensiv për punëtorët shëndetësorë.
“Jemi 22 infektologë dhe 70 infermierë. Kemi pasur diku 1500 pacientë apo persona të dyshuar që janë testuar në klinikë dhe më pas janë liruar. Kemi qenë vazhdimisht në komunikim me publikun sepse kemi konsideruar që informimi i publikut është i rëndësishëm”, ka thënë ai.
Duke folur për gruan shtatzënë që ka lindur sot, ai thotë se virusi nuk ka aftësi të infektojë fëmijën në barkun e nënës.
Sipas tij, rreziku mund të jetë pas lindjes, derisa shton se nënat duhet të kenë kujdes gjatë kujdesit ndaj foshnjës.
Krasniqi duke folur për testimet që janë bërë, ka thënë se pas qetësimit të situatës duhet të analizohet se çfarë është bërë mirë dhe çfarë është bërë keq.
“Infeksioni mund të rikthehet në sezonet e ardhshme dhe duhet të përgatitemi. Ende duhet të zbatojmë masat e përgjithshme, sidomos mbulimin e hundës dhe gojës si dhe mbajtjen e higjienës personale”, ka shtuar ai.
Për masat e reja të Ministrisë së Shëndetësisë, ai ka thënë se qytetarët duhet t’i përcjellin me vëmendje këshillat që dalin nga institucionet shëndetësore.