Krasniqi: Nuk bëjmë opozitë me molotov e gazlotsjellës, modeli i VV-së e ka dëmtuar vendin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, vlerëson se partia që udhëheq është duke e ndryshuar paradigmën e opozitarizmit në vend.

“Opozita e ka bërë ligjin për menaxhimin e pandemisë COVID, ia ka dhënë kompetencat qeverisë edhe me i ndërmarrë masat”.

“E dyta, opozita, në këtë rast PDK, edhe herën e parë edhe herën e dytë e ka mundësuar kalimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike. Sa për qeverinë as diskutimin në Kuvend për pandeminë nuk ka pasur dhe instrumentet tona janë të limituara, e para së gjithave është Kuvendi i Kosovës dhe ne i kemi shfrytëzuar të gjitha këto instrumente”.

“Unë e di që do ta keni të vështirë të gjithë edhe ju analistet edhe qytetarët edhe votuesit për një periudhë të caktuar për ta kuptuar që ne jemi duke e ndryshuar paradigmën e opozitarizmit në Kosovë, sepse në momentin kur ju thoni opozita është e butë, ju po pritini që ne kemi me kap molotov edhe gazlotsjellës edhe me bë protesta si Vetëvendosje” tha Krasniqi.

Mes tjerash, Krasniqi, në Rubikon theksoi se modeli opozitar i Lëvizjes Vetëvendosje e ka dëmtuar vendin dhe se ky model nuk do të ndiqet nga Partia Demokratike.

“Unë po kuptoj që në ndërdijen e juaj ju po prisni një agresion prej opozitës, sepse kështu jeni mësuar ta shihni opozitën në Kosovë. Për fat të keq modeli i vetëm opozitar që ka ekzistuar në Kosovë në dhjetë vjeteshin e fundit është modeli i Vetëvendosjes, që ka qenë modeli me i dëmshëm në vendin tonë, një model i agresivitetit, një model i destruktivitetit, një model Nihilist në esencë që ka kundërshtuar gjithçka për hir të kundërshtimit” tha Krasniqi.