Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i shoqëruar nënkryetarja Vlora Çitaku, kryetari i Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri, Sekretari i Përgjithshëm, Bajrush Xhemaili dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Bernard Nikaj, ka zhvilluar sot vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut ku është pritur nga krerët e shtetit fqinj.
Gjatë kësaj vizite zyrtare, kryetari Krasniqi ka zhvilluar takim me kryeparlamentarin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Ata kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, si dhe koordinimin e politikave rajonale e integruese drejt BE-së.
“Bashkë diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy Kuvendeve tona dhe koordinimin e politikave rajonale e integruese drejtë BE-së. Maqedonia e Veriut në përgjithësi, e shqiptarët në veçanti, janë me fat që si lider të institucionit më të lartë legjislativ e kanë Talat Xhaferin”, theksoi Krasniqi.
Pas takimit me Xhaferin, lideri i PDK-së ka takuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, të cilit i ka uruar 31 vjetorin e Pavarësisë dhe e ka falënderuar për ndihmën e vazhdueshme që Maqedonia e Veriut ka dhënë për Republikën e Kosovës.
“Gjatë takimit ritheksova se hapja e negociatave për Maqedonisë e Veriut është lajm i mirë edhe për Kosovën, me shpresën që besimi i rivendosur në mes të BE-së dhe rajonit tonë të avancoj sa më shpejtë edhe me liberalizimin e vizave për qytetarët tanë – e drejtë kjo, e mohuar vite me radhë. Kryeministri Kovaçevski më njoftoi edhe për hapat që ka marrë Maqedonia e Veriut për të përballuar krizën globale ekonomike, e cila në Kosovë po manifestohet me inflacion rekord, rritje të çmimit të energjisë dhe përkeqësim të jetës së qytetarëve tanë.Bashkë diskutuam edhe për projektet infrastrukturore, bashkëpunimin politik dhe proceset integruese. Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë kultivimin e bashkëpunimit të shkëlqyer ndërfqinjësor dhe mirëbesimit të ndërsjellë, në rrugën e pakthyeshme të integrimit euro-atlantik”, tha Krasniqi.
Kryetari Krasniqi ka takuar edhe zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, të cilin e ka uruar për rolin vendimtar të faktorit politik shqiptar në procesin e fillimit të negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
“Rikthimi i vëmendjes së BE-së në Ballkanin Perëndimor, hapat konkret të saj, janë lajm i mirë jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por edhe Kosovën e cila pret shpejtë liberalizimin e vizave, si një e drejtë e merituar tash e disa vjet. Bashkë diskutuam edhe për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të cilët po dëshmojnë se janë përcaktues me kontributin e tyre në secilin proces pozitiv institucional”, u shpreh lideri i PDK-së.
Në fund të vizitës së tij zyrtare, kryetari Memli Krasniqi ka zhvilluar takim me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Krasniqi tha se gjatë këtij takimi u diskutua për tema që lidhen me stabilitetin, paqen e ardhmërinë e rajonit, për projekte infrastrukturore e ekonomike, të cilat do të jenë në dobi qytetarëve të të dyja shteteve, si dhe për krizën energjetike.
“Shpreha qëndrimet e PDK-së për të gjitha këto çështje, për nevojën e fuqizimit dhe dinamizimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, për nevojën për të pasur një shtytje përpara edhe të të gjitha proceseve të bashkëpunimit rajonal, të bazuara në barazi dhe në një ndjenjë të interesave të përbashkëta, qofshin ato kombëtare për secilin, apo ekonomike dhe të tjerë”, tha ai.
Lideri i PDK-së e vlerësoi lartë kontributin dhe angazhimin e Ali Ahmetit në procese të rëndësishme jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por për tërë kombin shqiptar.
“Dëshiroj ta përmbyll me një falënderim të veçantë për mbështetjen e z. Ahmeti, për këshillat e tij dhe për gatishmërinë që të jetë gjithmonë pranë dhe në mbështetje të qytetarëve të Kosovës, të institucioneve të vendit tonë, por edhe të PDK-së”, tha ai.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka falënderuar kryetarin Krasniqi për vizitën dhe i ka uruar punë të mbarë në dhënien e kontributit të tij dhe të Partisë Demokratike të Kosovës në procese të rëndësishme, duke thënë se përvoja e tij dhe PDK-së është një aset për Republikën e Kosovës.
“Përvoja e z. Krasniqi dhe e partisë që drejton ai është gogja e madhe, është një aset për Republikën e Kosovës në fushëveprimtarinë e 20 viteve të fundit, që pas çlirimit të Kosovës një nga kontribueset më të mëdha drejt pavarësisë, por edhe drejtimit të proceseve. Gjithashtu, shpreha dhembshuri që themeluesit kryesorë të kësaj partie padrejtësisht po vuajnë në burgje, por dhe këtu shpreha bindjen time partisë së z. Krasniqi, partisë së z. Thaçi, partisë së z. Veseli, që e drejta do të triumfojë dhe do të kthehen triumfatorë në Kosovë”, theksoi Ahmeti.
Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka marrë pjesë edhe në ceremoninë e nderimit të eurodeputetit Ilhan Kyuchyuk me titullin “Doktor Honoris Causa”, nga Universiteti Amerikan të Evropës – FON në Shkup.
Krasniqi tha se Kyuchyuk ka bërë një punë të jashtëzakonshme në promovimin e të ardhmes evropiane për Ballkanin Perëndimor.
“Si raportues për Maqedoninë e Veriut dhe raportues në hije për Kosovën, në Parlamentin Evropian, Ilhan Kyuchyuk ka bërë një punë të jashtëzakonshme në promovimin e të ardhmes evropiane për Ballkanin Perëndimor. Ai, gjithashtu, ka kontribuar shumë edhe në zhvillimin e bashkëpunimit shkencor, arsimor, si dhe në promovimin e vlerave evropiane në përgjithësi”, theksoi lideri i PDK-së.