Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të premten ka qëndruar në Skenderaj, për të parë nga afër dëmet që janë shkaktuar nga vërshimet.
Nga aty, Krasniqi ka thënë se dëmet janë të mëdha, teksa ka apeluar te Qeveria e Kosovës që t’u dalë në ndihmë qytetarëve të kësaj ane.
Postimi i plotë i tij:
Në Skënderaj, bashkë me Kryetarin Fadil Nura dhe Nënkryetarin Sami Lushtaku, vizitova lokacionet të cilat janë prekur më shumë nga vërshimet dhe përmbytjet e ditës së djeshme.
Fatkeqësisht, dëmet janë të mëdha. Fatmirësisht, humbje në njerëz nuk ka. Prandaj, Kryetarin Nura dhe të gjithë zyrtarët komunalë i përgëzova për reagim efikas dhe dinjitoz, brenda mundësive dhe kapaciteteve të tyre, por, mbi të gjitha, që në këtë ditë të vështirë mobilizoi dhe bashkoi të gjithë qytetarët në ndihmë të njëri-tjetrit.
Duke qëndruar pranë secilit qytetar të Skënderajt në këto momente sfide për ta, thirrja jonë emergjente shkon edhe një herë për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Gjendja është e rëndë, me dëme të mëdha materiale dhe infrastrukturë të bllokuar publike. Prandaj, reagimi i nivelit qendror duhet të jetë konform situatës emergjente, me të gjitha kapacitetet shtetërore, përfshirë krijimin e një pakoje financiare për kompensimin e të gjitha dëmeve që kanë pësuar qytetarët.
Uroj që sa më parë situata t’i rikthehet normalitetit dhe banorët e Skënderajt të rikthehen në shtëpitë e tyre!