Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka njoftuar se të enjten u ka dërguar letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albin Kurti, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ku ka theksuar nevojën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Nëpërmjet një statusi në Facebook, Krasniqi ka thënë se në letrën drejtuar liderëve të partive parlamentare, “kam shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë një domosdoshmëri qytetare dhe jo një dëshirë politike, andaj tani është koha që të veprojmë të koordinuar dhe me hapa konkret”.
“Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një qeveri të re që fokusohet në zhvillimin ekonomik, mirëqenien qytetare dhe integrimin euro-atlantik. Zgjedhjet e reja janë thelbësore për të krijuar një Kuvend funksional që është në shërbim të interesit qytetar”, ka shkruar kryetari i PDK-së.
Krasniqi ka përsëritur se 30 qershori dhe 7 korriku janë propozuar nga PDK-ja si data për mbajtjen e zgjedhjeve, e për të arritur një nga këto data, kryetari i partisë kryesore opozitare ka thënë se shpërndarja e Kuvendit do duhej të votohej më së largu deri më 29 maj.
“Andaj, edhe sot, unë i ftoj të gjitha partitë parlamentare që të koordinohemi e të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë”, ka shkruar tutje Krasniqi.
Krasniqi pas takimit që pati me kryeministrin Albin Kurti para 10 ditësh janë dakorduar për shpërndarjen e Kuvendit, propozim që nuk po pranohet nga LDK-ja e AAK-ja. Këto dy parti po kërkojnë fillimisht dorëheqjen e Kurtit. E kryeministri nuk është shprehur i gatshëm për dorëheqje, por vetëm për shpërndarje të Kuvendit.