Krasniqi: Kurti t’u drejtohet qytetarëve, të shmanget përshkallëzimi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti, që t’u drejtohet qytetarëve për t’i njoftuar për situatën, pasi serbët vendosën të largohen nga institucionet e Kosovës. Në një shkrim në Facebook, Krasniqi i ka quajtur zhvillimet e së shtunës në veri, si akt të paprecedent të cenimit të sovranitetit juridik e shtetëror, por edhe të rendit publik.

“Jam jashtëzakonisht i shqetësuar me këto zhvillime dhe në rrethana kur nuk ka një epilog të qartë rreth tyre është obligim i qeverisë që t’ua sqarojë qytetarëve se çka në të vërtetë është duke ndodhur atje. Prandaj, kërkoj nga kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, që t’ju drejtohet qytetarëve për t’i njoftuar për seriozitetin e situatës dhe për hapat që do të ndermarrin institucionet e vendit për të garantuar ruajtjen e rendit publik, jetës së qytetarëve dhe sovranitetit të vendit”, ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se rreziku i përshkallëzimit është evident.

“Kjo duhet të shmanget dhe qëllimi duhet të jetë ruajtja e paqes dhe sigurisë”, ka thënë Krasniqi.