Krasniqi kujton triumfin e para një viti: Besimin e qytetarëve e kemi fituar mbi këtë parim

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e ka shënuar me një postim në Facebook një vjetorin e fitores së kësaj partie në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Krasniqi ka shkruar se PDK-ja e ka kthyer besimin në Mitrovicë, Skënderaj e Han të Elezit dhe e rikonfirmoi në Ferizaj, për të fituar më pas edhe në Prizren, Vushtrri, Drenas e Kaçanik.

“Sot, bashkëqeverisim me sukses në 18 komuna, duke përfshirë 7 qytetet kryesore të Kosovës, dhe në çdo komunë Partia Demokratike e Kosovës është alternativa më e besueshme e qytetarëve në transformimin pozitiv të komunave të tyre”, ka shkruar Krasniqi.

Kryetari i PDK-së tha se janë partia me më së shumti asambliste dhe drejtoresha në komunat e Kosovës, ndërsa tha se partia të cilën e udhëheq ka fituar mbi një parim.

“Besimin e qytetarëve e kemi fituar mbi këtë parim themelor: Për të qenë në shërbim të qytetarëve dhe për të ndryshuar për të mirë jetën e tyre dhe vendet ku ata jetojnë. E kemi për detyrë dhe obligim që ta përmbushim këtë mision deri në realizimin e premtimit të fundit që e kemi dhënë para tyre. Bashkë me qytetarët do ta arrijmë këtë!”, shkroi Krasniqi.

Postimi i plotë:

Një vit nga fitorja në zgjedhjet lokale!

Sot, janë bërë një vit nga fitorja e vlefshme e PDK-së në zgjedhjet lokale.

Më 17 tetor të vitit 2021, pas një angazhimi të madh të çdo anëtari e aktivisti anë e kënd Kosovës, bashkë me ofertën më të mirë për qytetarët e më kandidatë shembullorë, morëm besimin qytetar si fitues në katër komuna pa balotazh dhe si të parët edhe në pesë komuna të tjera.

Rikthyem besimin në Mitrovicë, Skënderaj e Han të Elezit dhe e rinkonfirmuam atë në Ferizaj, për të vazhduar fitoret katër javë më vonë edhe në Prizren, Vushtrri, Drenas e Kaçanik.

Sot, bashkëqeverisim me sukses në 18 komuna, duke përfshirë 7 qytetet kryesore të Kosovës, dhe në çdo komunë Partia Demokratike e Kosovës është alternativa më e besueshme e qytetarëve në transformimin pozitiv të komunave të tyre.

Tetë kryetarë të komunave, nëntë kryesues të kuvendeve komunale, 206 asamblistë dhe 99 drejtorë të PDK-së, janë në shërbim të qytetarëve të Kosovës ditë dhe natë, për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre dhe vendbanimet ku ata jetojnë.

Për më tepër, jemi partia me më së shumti gra asambliste dhe drejtoresha departamentesh në komunat e Kosovës – duke i qëndruar besnik vizionit dhe vendimit që kemi marrë për arritjen e aspiratës tonë për fuqizim të grave dhe përfaqësim të barabartë në vendimmarrje, 50/50.

Përkundër refuzimit të nivelit qendror për të ndihmuar me fonde komunat ku ne qeverisim, kryetarët tanë janë duke bërë punë shembullore me qeverisje të mirë, besueshmëri, transparencë e llogaridhënie, duke qenë afër qytetarëve me projekte dhe politika konkrete që prekin jetën e tyre.

Megjithatë, ky ishte vetëm viti i parë dhe shumë prej komunave kanë trashëguar projekte e sfida nga e kaluara. Prandaj, në vitin e dytë të qeverisjes, me miratimin e buxheteve të reja nëpër komuna, investimet dhe projektet me qytetarët në qendër do të rriten në secilën komunë ku ne qeverisim apo bashkëqeverisim.

Besimin e qytetarëve e kemi fituar mbi këtë parim themelor: Për të qenë në shërbim të qytetarëve dhe për të ndryshuar për të mirë jetën e tyre dhe vendet ku ata jetojnë. E kemi për detyrë dhe obligim që ta përmbushim këtë mision deri në realizimin e premtimit të fundit që e kemi dhënë para tyre. Bashkë me qytetarët do ta arrijmë këtë!