Krasniqi kërkon që Kurti të raportojë në Kuvend për gjendjen sigurisë në veri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka cilësuar rrëmbimin e tre policëve në veri nga Policia e Serbisë si akt agresioni kundër Republikës së Kosovës.

Krasniqi tha në seancën e Kuvendit se dje ka ndodhur përshkallëzim i situatës së sigurisë në veri, raporton EO.

“Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës është një akt agresioni kundër Republikës sonë. Është e paekuivoke shkelja e sovranitetit dhe integritetit territorial. Në këtë moment përtej qëndrimeve e vlerësimeve të kujtdo prioritet i prioriteteve duhet të jetë kthimi i policëve tanë në Kosovë dhe pranë familjeve të tyre duke garantuar shëndetin dhe sigurinë e tyre”, tha kreu i PDK-së.

Krasniqi ka kërkuar nga kryeparlamentari Glauk Konjufca që të kontaktoi me kryeministrin Albin Kurti dhe që i njëjti të vije sot të raportojë në Kuvend për këtë situatë.

“Andaj, i nderuar kryetar, unë ju ftoj që ju në emër të Kuvendit të Kosovës të kontaktoni më kryeministrin Kurti, që ta ftojmë të vijë sot në një seancë të veçantë për të raportuar se cilat janë veprimet e qeverisë që janë duke i ndërmarrë për kthimin e policëve tanë, por edhe për situatën e sigurisë në përgjithësi në veriun e vendit”, shtoi ai.