Albert Krasniqi nga organizata joqeveritare, Demokracia Plus, ka folur për gjashtë kushtet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas tij, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeministri Kurti kur ishin në opozitë i patën bashkuar kauzat për të kundërshtuar Qeverinë.
“Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti i patën bashkuar kauzat sa ishin në opozitë për të kundërshtuar qeverinë. Njëri me Demarkacionin, e tjetri me Asociacionin. Si për ironi, Haradinaj kryeministër e bëri Demarkacionin, e Kurti kryeministër po e bënë Asociacionin”, shkroi ai në Facebook.
Ai ka theksuar se njëjtë sikur Haradinaj që e paketonte marrëveshjen e Demarkacionit me një raport të komisionit për rishikimi të marrëveshjes, Kurti po e bënë me gjashtë kushtet e vendosura.
“Në esencë, marrëveshjet mbesin të njëjta vetëm shtohet hiri ndaj syve të publikut”, shtoi Krasniqi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, e ka potencuar përkushtimin e Kosovës që sa më shpejt të arrihet dakordimi final rreth propozimit të BE-së, të mbështetur nga Franca e Gjermania.
Ai ka treguar rrethanat, në të cilat, do të zbatohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
- Asociacioni të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
- Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv, duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave, sipas kushtetutës.
- Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
- Para vendosjes së asociacionit, strukturat ilegale në veri të shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
- Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshetërore me Kosovën.
- Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara në pesë shtetet e BE-se për mospranimin e aplikimit të Kosovës në BE.