Krasniqi: Epopeja e UÇK-së”, manifeston më së miri rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se 5, 6 dhe 7 marsi janë data kapitale në historinë tonë kombëtare dhe tri ditë ku kujtohet me krenari e përulje lavdia dhe sakrifica e Komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij.

“Epopeja e UÇK-së, manifeston më së miri rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë, ndërsa këtë Epope më së miri e manifeston fjala e përndritur e komandantit legjendar: “Besa-Besë….vetëm një vdekje se tjetër s’ka dhe një fjalë e mirë”. Epopeja e UÇK-së, shënon ditët e krenarisë, bashkimit por edhe dhimbjes së madhe të popullit tonë. Në tri ditët e heroizmit të familjes Jashari, në Prekaz, në altarin e lirisë ranë 59 dëshmorë, në mesin e tyre 10 fëmijë, – duke u bërë dritë e përhershme për Kosovën dhe themel i shtetit tonë të lirë e të pavarur”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai tha se, me amanetin e tyre në zemër, obligim dhe detyrë e përhershme mbetet ndërtimi i një shteti të zhvilluar e demokratik që materializon lirinë, barazinë e perspektivën për të sotshmen dhe të ardhmen e të gjithë qytetarëve.